A do të luajë Lamine Yamal ndaj Kepit të Gjelbër? De la Fuente qartëson të gjitha dyshimet

Sport

Përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, ka konfirmuar se Lamine Yamal është në gjendje të luajë në ndeshjen hapëse të Kombëtares së Spanjës në Kupën e Botës kundër Kepit të Gjelbër, që zhvillohet të hënën. Ylli i Barcelonës humbi fundin e sezonit 2025/26 për shkak të një lëndimi në kofshë që pësoi në muajin […]

Madhësia e shkronjave

Përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, ka konfirmuar se Lamine Yamal është në gjendje të luajë në ndeshjen hapëse të Kombëtares së Spanjës në Kupën e Botës kundër Kepit të Gjelbër, që zhvillohet të hënën.

Ylli i Barcelonës humbi fundin e sezonit 2025/26 për shkak të një lëndimi në kofshë që pësoi në muajin prill, por tashmë duket se ka lënë pas problemet fizike dhe është gati për të kontribuar në Botëror.

Spanja ka pasur shqetësime edhe për gjendjen e Nico Williams, por De la Fuente bëri të ditur se të dy lojtarët janë në dispozicion, edhe pse minutat e tyre do të menaxhohen me kujdes.

“Lajmi i mirë është se Lamine është në gjendje perfekte. Ka arritur në këtë moment pikërisht në gjendjen që dëshironim. Është mirë, ashtu si Nico dhe Victor Munoz. Të gjithë janë në dispozicion, edhe pse disa nuk do ta luajnë të gjithë ndeshjen”.

“Mjekët thonë se Lamine mund të luajë nesër pa asnjë problem. Jo për 90 minuta, por mund të luajë një pjesë të ndeshjes. Procesi me Nico Williams është i ngjashëm”.

Trajneri spanjoll shtoi se Yamal dhe Williams kanë punuar intensivisht gjatë javëve të fundit për t’u rikthyer në formën optimale.

“Ata kanë kaluar shumë ditë dhe shumë orë duke punuar së bashku. Duke pasur parasysh marrëdhënien që kanë, kanë qenë të lumtur gjatë gjithë procesit. Mund të luajnë nëse mendojmë se ndeshja e kërkon”.

Spanja konsiderohet favorite për triumfin në Kupën e Botës sipas superkompjuterit të Opta-s, por historia e saj në këtë kompeticion pas suksesit të vitit 2010 nuk ka qenë bindëse.

“La Roja” u eliminua në fazën e grupeve në Botërorin 2014, ndërsa në dy edicionet pasuese u ndal në fazën e 1/8 së finales pas penalltive. Në fakt, spanjollët kanë fituar vetëm një nga gjashtë ndeshjet e fundit në Kupën e Botës, atë fitore të thellë 7-0 ndaj Kosta Rikës në fazën e grupeve të Botërorit 2022./Telegrafi/