Paris Saint-Germain ka zyrtarizuar transferimin e Mika Godts nga Ajaxi. Sulmuesi i krahut të majtë ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me kampionët evropianë, e cila do ta mbajë në Paris deri në vitin 2031.
21-vjeçari belg e ka nisur karrierën në akademitë e Anderlechtit dhe Genkut, përpara se t’i bashkohej Ajaxit në dimrin e vitit 2023 për rreth 1 milion euro.
Godts u integrua shpejt në ekipin e parë të Ajaxit dhe gjatë aventurës së tij në Amsterdam regjistroi gjithsej 115 paraqitje, duke shënuar 26 gola dhe duke dhënë 28 asistime.
Sezoni i fundit ishte veçanërisht mbresëlënës për belgun. Ai zhvilloi 44 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar 15 gola dhe duke dhënë 17 asistime.
Me këtë statistikë, Godts u bë vetëm lojtari i tretë në historinë e Ajaxit që nga sezoni 2010/11 që arrin të regjistrojë të paktën 15 gola dhe 15 asistime brenda një sezoni.
I lindur në Leuven, Godts është pjesë e Kombëtares së Belgjikës që nga grupmosha U15.
Ai debutoi me ekipin e parë në marsin e këtij viti, por nuk arriti ta bindte trajnerin Rudi Garcia për ta përfshirë në listën e Belgjikës për Kupën e Botës në Shtetet e Bashkuara./Telegrafi/






