Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se marrëveshja për furnizimin me naftë dizel mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara nuk ka lidhje me negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Ai e përshkroi marrëveshjen si një bashkëpunim të veçantë ekonomik, i cili, sipas tij, u shërben interesave të të dyja vendeve dhe tregjeve globale të energjisë.

“Nuk shoh ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë këtu. Në fakt, kjo është një fushë e bashkëpunimit ruso-amerikan që u sjell përfitime të dyja palëve. Ajo u shërben interesave të Shteteve të Bashkuara, tregjeve globale të energjisë dhe Rusisë. Prandaj po ndodh kjo”, tha Peskov.
Deklarata e zëdhënësit të Kremlinit lë të kuptohet se Moska nuk e konsideron marrëveshjen energjetike si pjesë të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Kështu, sipas qëndrimit të shprehur nga Peskov, Rusia nuk po e lidh mundësinë për të eksportuar naftë dizel me lëshimet në negociatat për paqe.
Marrëveshja për energjinë është shfaqur në një periudhë kur administrata amerikane po përpiqet të nxisë rifillimin e negociatave mes Moskës dhe Kievit, ndërsa çështjet territoriale dhe kushtet për përfundimin e luftës mbeten pengesa kryesore. /Telegrafi/





