Britani: Gjykata bllokon dëbimin e 39-vjeçarit nga Kosova, pavarësisht 50 dënimeve

Nacionale

Një 39-vjeçar me origjinë nga Kosova, i dënuar për rreth 50 vepra penale në Britani të Madhe, ka arritur të bllokojë dëbimin e tij drejt Kosovës, pasi një gjykatës emigracioni ka vlerësuar se ai mund të përballet me keqtrajtim për shkak të përkatësisë së tij rome dhe pasigurisë rreth shtetësisë së tij. Bëhet fjalë për […]

Madhësia e shkronjave

Një 39-vjeçar me origjinë nga Kosova, i dënuar për rreth 50 vepra penale në Britani të Madhe, ka arritur të bllokojë dëbimin e tij drejt Kosovës, pasi një gjykatës emigracioni ka vlerësuar se ai mund të përballet me keqtrajtim për shkak të përkatësisë së tij rome dhe pasigurisë rreth shtetësisë së tij.

Bëhet fjalë për Avdi Alijan, i cili kishte mbërritur ilegalisht në Britani në moshën 14-vjeçare, pasi në vitin 2002 kishte udhëtuar i fshehur në pjesën e pasme të një kamioni.

Sipas vendimit gjyqësor, gjatë viteve Alija kishte krijuar një rekord të gjatë kriminal, me rreth 50 vepra penale, përfshirë vjedhje, grabitje, posedim kokaine dhe drejtim automjeti në gjendje të dehur ose nën ndikimin e drogës.

Sipas Daily Mail, Alija ishte dënuar edhe për përfshirje në një pengmarrje në vitin 2018.

Sipas vendimit, ai ishte pjesë e një grupi që kishte marrë me forcë një person, e kishte futur në një makinë nën kërcënimin e thikës dhe më pas e kishte mbajtur të izoluar në banesën e Alijas.

Viktima ishte mbajtur peng për rreth katër orë e gjysmë, ishte dhunuar dhe kërcënuar se do të goditej me thikë dhe do t’i hidhej ujë i valë nëse nuk paguante 50 mijë paund.

Ai kishte arritur të arratisej duke thyer një dritare dopio-xham dhe duke u hedhur nga kati i dytë.

Gjykata kishte vlerësuar se Alija kishte luajtur rol të rëndësishëm në pengmarrje, duke lejuar që banesa e tij të përdorej për mbajtjen e viktimës. Për këtë rast, ai ishte dënuar me nëntë vjet burgim për burgosje të paligjshme dhe një vit tjetër për plagosje të rëndë.

Në mars të vitit 2022, ministrja e atëhershme e Brendshme e Britanisë, Priti Patel, kishte urdhëruar dëbimin e tij, duke e konsideruar rrezik për komunitetin.

Alija e kishte kundërshtuar vendimin në gjykatë, duke iu referuar Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Apeli i tij është shqyrtuar sërish më 29 shtator nga gjyqtari i emigracionit, Ian Boyes, në një kohë kur Alija kishte përfunduar dënimin me burg dhe ishte liruar me kusht.

Gjatë shqyrtimit, gjykata ka marrë parasysh faktin se Alija kishte lindur në Kosovë nga prindër romë, të cilët, sipas dëshmive të paraqitura në proces, ishin vrarë gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998-1999, ndërsa shtëpia e familjes ishte shkatërruar.

Gjyqtari ka vlerësuar se Alija konsiderohej person me rrezik për komunitetin dhe, për këtë arsye, nuk mund të përfitonte nga mbrojtja e azilit sipas Konventës së Gjenevës.

Megjithatë, gjykata ka pranuar argumentin se dëbimi i tij drejt Kosovës mund ta ekspozonte ndaj trajtimit në kundërshtim me nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili ndalon trajtimin çnjerëzor ose degradues.

Sipas një eksperti të dëgjuar nga gjykata, për shkak të statusit të pasigurt të shtetësisë dhe përkatësisë së tij rome, Alija do të përballej me rrezik diskriminimi, shfrytëzimi dhe abuzimi në rast të kthimit në Kosovë.

Në vendimin e tij, gjyqtari ka theksuar se Alija konsiderohej praktikisht pa shtetësi, ndërsa hetimet për përcaktimin e shtetësisë së tij nuk kishin sjellë një zgjidhje.

Gjykata ka marrë parasysh edhe faktin se ai kishte jetuar në Britani që nga fëmijëria, si dhe rrezikun e mbetjes pa strehim dhe ekspozimit ndaj shfrytëzimit në rast të dëbimit.

Në përfundim, apeli i Alijas është pranuar dhe urdhri për dëbimin e tij drejt Kosovës është bllokuar.

Kështu, ai do të lejohet të qëndrojë në Britani, pavarësisht historikut të tij të gjatë kriminal dhe dënimit për përfshirje në një rast pengmarrjeje./Telegrafi/