Ish-kampioni i botës në peshat e rënda, Tyson Fury, ka komentuar duelin e shumëpritur mes Agit Kabayelit dhe boksierit shqiptar Nelson Hysa, duke e cilësuar si një përballje ku gjithçka mund të ndodhë.
Hysa do të përballet me Kabayelin më 28 nëntor në “Merkur Spiel-Arena” të Dusseldorfit, në një sfidë të rëndësishme për karrierën e tij dhe që tashmë ka tërhequr vëmendjen e një prej emrave më të mëdhenj të boksit botëror.
Fury ka folur me respekt për boksierin shqiptar, edhe pse e ka pranuar se Hysa ende nuk është një emër shumë i njohur në skenën ndërkombëtare.
“Nelson është mjaft i panjohur; nuk e kemi parë shumë në veprim, por ka ardhur në palestrën time për sparing. Është një luftëtar i fortë dhe me përvojë, nuk tërhiqet kurrë dhe ka arritur shumë fitore me nokaut”, ka deklaruar Fury.
Britaniku nuk ka dashur të japë një favorit të qartë për këtë përballje, duke e konsideruar duelin plotësisht të hapur.
“Kështu që nuk e di se kush do të fitojë; gjasat janë 50-50”, shtoi ish-kampioni i botës.
Fury e sheh sfidën në Düsseldorf si një duel fizik dhe të ashpër, ku të dy boksierët pritet të kërkojnë fitoren përmes stilit agresiv. Pikërisht për këtë arsye, ai e përshkroi përballjen si një “fire-fight”.
Për Nelson Hysën, dueli me Kabayelin paraqet një prej mundësive më të mëdha të karrierës për t’u afirmuar në skenën ndërkombëtare të peshave të rënda./Telegrafi/






