Portugalia e ka fituar përballjen direkte ndaj Norvegjisë, në një sfidë shumë të hapur.
Mysafirët arkëtuan pikët e plota me rezultat 1-2, në sfidën ku Cristiano Ronaldo u la në stol.
Ishte Joao Felix që mori një pasim të shkëlqyer nga Pedro Neto dhe me një gol të bukur e kaloi Portugalinë në epërsi (17’).
Norvegjia pastaj krijoi plot raste shënimi për të rrezikuar me Martin Odegaard dhe Erling Haaland, mirëpo që asnjëri nuk ia doli ta mposhtë portierin Costa.
Megjithatë, vendasit u rikthyen në lojë falë Haaland, që shënoi nga afërsia pas një asistimi të bukur me kokë prej Berg (51’).
Sidoqoftë, tre minuta më vonë Gonçalo Ramos përfitoi nga një gabim amator i portierit dhe e ndëshkoi me një parabolë (54’).
Ramos shënoi sërish tre minuta më vonë mirëpo që VAR-i ia anuloi golin për pozitë jashtë loje.
Portugalia me këtë fitore shkon në kuotën e gjashtë pikëve ndërsa Norvegjia mbetet me tre sosh si pozitë e dytë./Telegrafi/






