Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të zhvillojnë bisedime me delegacionin iranian gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka deklaruar sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Në një intervistë për NBC News, Rubio tha se Uashingtoni është “i hapur” ndaj një takimi me përfaqësuesit iranianë, edhe pse deri tani nuk është planifikuar ndonjë takim zyrtar.
“Jemi të hapur ndaj kësaj”, tha Rubio, duke shtuar se një bisedë e tillë do të kishte kuptim nëse mund të krijonte mundësi për një rezultat pozitiv.
Rubio theksoi se objektivi kryesor i SHBA-së mbetet çështja bërthamore e Iranit, transmeton Telegrafi.
“Gjithçka ka të bëjë me faktin se Irani nuk mund të ketë kurrë një armë bërthamore. Thjesht nuk mundet”, deklaroi ai.
Deklaratat e Rubio vijnë ndërsa delegacioni iranian ndodhet në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe në një kohë kur Teherani ka sinjalizuar gatishmëri për të përdorur këtë forum për kontakte diplomatike me Uashingtonin.
Sipas Reuters, delegacioni iranian në Nju Jork ka autoritet të ndjekë negociata diplomatike me Shtetet e Bashkuara. Irani ka shprehur gjithashtu gatishmëri për të rihapur ngushticën strategjike të Hormuzit nëse SHBA-ja ul presionin ushtarak dhe heq bllokadën ndaj porteve iraniane.
Megjithatë, Rubio nuk dha detaje se kur apo në çfarë formati mund të zhvillohej një takim mes palëve.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar më herët se Uashingtoni mbetet i hapur ndaj kontakteve me Iranin, ndërsa përfaqësuesit e të dyja palëve ndodhen në Nju Jork për takimet e nivelit të lartë të OKB-së.
Çështja bërthamore, lufta dhe siguria në Lindjen e Mesme, si dhe e ardhmja e ngushticës së Hormuzit, pritet të jenë ndër temat kryesore të diplomacisë amerikano-iraniane gjatë ditëve të Asamblesë së Përgjithshme. /Telegrafi/






