htetet e Bashkuara planifikojnë të rikthejnë një bazë ushtarake të kohës së Luftës së Ftohtë në jug të Grenlandës dhe të vendosin një tjetër në bregdetin lindor, në një zonë që aktualisht përdoret nga patrulla daneze me slitë të tërhequra nga qentë, sipas burimeve të njohura me situatën.
Bazat e reja janë pjesë e një marrëveshjeje që SHBA-ja pritet ta nënshkruajë me Danimarkën dhe Grenlandën të martën, më 22 shtator, shkruan reuters.

Sipas burimeve, bëhet fjalë për Narsarsuaq, ku popullsia është reduktuar në vetëm disa dhjetëra banorë që kur SHBA-ja mbylli bazën e saj ushtarake Bluie West One në vitet 1950, dhe Mestersvig, një pozicion ushtarak i përdorur nga Sirius Dog Sled Patrol, një njësi e forcave speciale daneze.
Danimarka, Grenlanda dhe Shtetet e Bashkuara pritet ta nënshkruajnë marrëveshjen e re në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, të martën në orën 10:30 sipas kohës lindore të SHBA-së, përkatësisht në orën 16:30 sipas kohës së Kosovës.
Teksti i marrëveshjes nuk është bërë publik. Tre persona të njohur me marrëveshjen, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se detajet e saj nuk do të finalizohen para nënshkrimit.
Qeveritë e Danimarkës dhe Grenlandës nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së Reuters për koment.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë refuzoi të komentojë detajet e marrëveshjes, duke përsëritur deklaratën e mëparshme se nënshkrimi i saj do të “sigurojë dhe mbrojë sigurinë e Grenlandës dhe Shteteve të Bashkuara”. /Telegrafi/





