“Jo në emrin tim”, më 1 tetor marsh paqësor në Prishtinë

Nacionale

Pas aktgjykimit dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga Gjykata Speciale në Hagë, platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka kërkuar reagim dhe koordinim të institucioneve të Kosovës. Përfaqësuesi i kësaj platforme, Ismail Tasholli i ka bërë thirrje spektrit politik, diplomatëve, shoqërisë civile, ekspertëve dhe mërgatës të bëhen pjesë e një […]

Madhësia e shkronjave

Pas aktgjykimit dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga Gjykata Speciale në Hagë, platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka kërkuar reagim dhe koordinim të institucioneve të Kosovës.

Përfaqësuesi i kësaj platforme, Ismail Tasholli i ka bërë thirrje spektrit politik, diplomatëve, shoqërisë civile, ekspertëve dhe mërgatës të bëhen pjesë e një përpjekjeje të koordinuar lidhur me këtë proces.

“Sot nuk jemi këtu për pushtet e opozitë. Nuk jemi këtu për të hapur betejat e djeshme politike. Sot duhet të jemi bashkë. Përpara nesh është një proces vendimtar dhe një fazë e re juridike. Prandaj kërkojmë që institucionet e Republikës së Kosovës të veprojnë me përgjegjësi, koordinim dhe transparencë. Qeveria duhet të na tregojë qartë: Cili është plani?

Cila është strategjia shtetërore? Çfarë mbështetjeje juridike dhe financiare do të ofrohet? Çfarë do të bëjë diplomacia e Kosovës? Si do të angazhohen institucionet akademike dhe ekspertët ndërkombëtarë?”, tha ai.

Tasholli bëri thirrje që sa më parë të ftohet një mbledhje e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë.

“Me një pikë të rendit të ditës, mbështetjen institucionale për mbrojtjen e luftës së UÇK-së dhe sigurimin e financimit të nevojshëm për mbrojtjen juridike. Sepse, në këto momente nuk duhet të ketë Prishtinë e Tiranë që shikojnë larg njëra-tjetrën. Duhet të ketë një tavolinë, një koordinim dhe një përgjegjësi të përbashkët institucionale”, kërkoi Tasholli.

Ndërsa, përfaqësuesja tjetër e LKE-së, Eliza Hoxha njoftoi se më 1 tetor do të organizohet marshi i madh “JO NË EMRIN TIM”, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Data nuk është zgjedhur rastësisht. Më 1 tetor 1997, studentët e Kosovës dolën në rrugë në një protestë paqësore që mbeti një nga momentet simbolike të rezistencës qytetare. Më 1 tetor, ne do të dalim përsëri paqësisht, me një mesazh të përbashkët: JO NË EMRIN TIM. Më 10 tetor, kjo thirrje do të vazhdojë në Bruksel, së bashku me mërgatën tonë. Kosova brenda dhe Kosova jashtë do të flasin me një zë”, tha Hoxha.

Në të njëjtën kohë, platforma qytetare “Liria Ka Emër” do të filloj peticionin qytetar “JO NË EMRIN TIM”, i cili do të dërgohet simbolikisht në Bruksel, Strasburg dhe Hagë, si shprehje e qëndrimit të qytetarëve që zgjedhin t’i bashkohen kësaj nisme.

Platforma qytetare “Liria Ka Emër”, në vazhdimësi do të zhvillojë aktivitete qytetare, akademike dhe publike në Kosovë dhe jashtë saj.

“Qeverisë i kërkojmë plan. Institucioneve u kërkojmë koordinim. Partive politike u kërkojmë bashkëpunim. Mërgatës dhe qytetarëve u bëjmë thirrje për pjesëmarrje qytetare. Sot nuk kërkojmë që të gjithë të mendojnë njësoj. Kërkojmë që institucionet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe që dallimet politike të mos e pengojnë koordinimin për çështjet që konsiderohen me interes shtetëror”, theksoi Hoxha. /Telegrafi/