Ushtarët që kthehen nga vija e frontit në Ukrainë po sjellin me vete armë dhe pajisje ushtarake, duke ngritur shqetësime se komponentë të përdorur në fushëbetejë mund të fillojnë të qarkullojnë brenda Bashkimit Evropian.
Kjo thuhet në një dokument konfidencial të BE-së të parë nga Euronews, përcjell Telegrafi.
Dhe sipas shkrimit në fjalë, rreziku që armët e zjarrit të devijohen nga fushëbeteja do të diskutohet nga ambasadorët e BE-së të mërkurën, ndërsa autoritetet evropiane po shtojnë përpjekjet për të gjurmuar armët që hyjnë në bllok.
“Shtetet anëtare kanë raportuar raste të posedimit të komponentëve të armëve dhe pajisjeve ushtarake nga luftëtarët që kthehen nga lufta”, thuhet në dokumentin e Këshillit të BE-së, i cili përqendrohet te ndikimi i luftës në Ukrainë në sigurinë e brendshme të BE-së.
“Edhe pse këta individë nuk lidhen domosdoshmërisht me aktivitete të organizuara kontrabande, këto raste të konstatuara tregojnë një rrezik potencial që komponentë ushtarakë ose pajisje të tjera nga fushëbeteja të transportohen nga Ukraina në BE”, vazhdon dokumenti.
Muajt e fundit, disa vende të BE-së kanë bërë thirrje për të ndaluar hyrjen në bllok të ish-luftëtarëve dhe luftëtarëve aktualë rusë për shkak të rreziqeve të mundshme të sigurisë, konkretisht përfshirjes së tyre në sabotime dhe sulme hibride në tokën evropiane.
Ky ndalim u përfshi në paketën e 21-të të sanksioneve, por përfundimisht u zbut pas kundërshtimeve nga Franca dhe Italia.
Megjithatë, në një takim joformal të ministrave të jashtëm në fillim të këtij muaji, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se kishte “mbështetje të gjerë” për të ecur përpara me ndalimin e vizave, pas një tentative për sulm me dron në Lajpcig, ku një nga të dyshuarit dyshohet se kishte hyrë në zonën Shengen me një vizë turistike të lëshuar nga Italia.
Ndërkohë, Estonia ka nisur një operacion për shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës me vende të tjera të të ashtuquajturit krah lindor, me qëllim bashkërendimin e vendimeve për refuzimin e hyrjes ndaj luftëtarëve rusë të identifikuar, bazuar në vendime gjyqësore ose administrative.
“Luftëtarët e huaj, qofshin vullnetarë apo mercenarë, vazhdojnë të përbëjnë rrezik, pasi ata fitojnë aftësi dhe përvojë ushtarake që mund të shfrytëzohen më tej pasi të tërhiqen nga zona e konfliktit, për t’u përfshirë në aktivitete kriminale ose terrorizëm”, shton dokumenti.
Por shqetësimi nuk kufizohet vetëm te luftëtarët rusë.
Ai shtrihet edhe te ukrainasit që kthehen nga vija e frontit, veçanërisht në shtetet anëtare që strehojnë një numër të madh refugjatësh ukrainas, si Gjermania, Polonia dhe Republika Çeke.
Njëkohësisht, autoritetet në këto vende theksojnë se çështja e sigurisë i përket BE-së në tërësi, duke qenë se ato janë pjesë e zonës Shengen, dhe se ka pak gjasa që ushtarët që ribashkohen me familjet e tyre t’i shesin ligjërisht ato armë, sipas informacioneve të Euronews.
Sipas një raporti të publikuar në mars nga “Global Initiative Against Transnational Organized Crime” (Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional), aktualisht nuk ka një fluks të konsiderueshëm armësh nga Ukraina drejt vendeve fqinje, por qarkullimi i armëve mbetet një “rrezik strukturor”.
Nga ana e tij, Kievi tashmë ka krijuar një Pikë Qendrore Kombëtare për Armët e Zjarrit, e cila i ofron Europol-it lista të armëve të zjarrit të sekuestruara, të vjedhura ose të humbura.
Europol-i, agjencia e BE-së për zbatimin e ligjit, është përfshirë drejtpërdrejt dhe pritet të krijojë një Qendër të Specializuar për Armët e Zjarrit deri në tremujorin e parë të vitit 2027, me qëllim përmirësimin e analizës dhe shkëmbimit të të dhënave mbi armët e sekuestruara.
Gjithashtu, Ukraina pritet të miratojë një udhërrëfyes të posaçëm për trafikun e armëve të zjarrit deri në fund të këtij viti, duke ndjekur modelin e atij që është zbatuar tashmë në Ballkanin Perëndimor.
Madje, kritere specifike lidhur me këtë çështje janë përfshirë edhe në negociatat e anëtarësimit të Ukrainës.
Frontex, agjencia e BE-së për kufijtë, ka lëshuar gjithashtu udhëzime specifike për rojet kufitare dhe autoritetet doganore lidhur me devijimin e armëve të zjarrit, me fokus të veçantë te Ukraina.
“Një nga shqetësimet më të mëdha afatgjata në kontekstin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës është përhapja dhe devijimi i armëve të zjarrit dhe armëve të tjera të vogla dhe të lehta (SALW). Deri më tani, janë sekuestruar pak armë dhe janë kryer pak arrestime”, thuhet në dokument. /Telegrafi/






