Nga babai te djali, Davide Marchisio firmos kontratën e parë profesionale me Juventusin

Sport

Historia e familjes Marchisio me Juventusin po vazhdon edhe përmes gjeneratës së re. Davide Marchisio, djali i madh i ish-mesfushorit dhe legjendës së Juventusit, Claudio Marchisios, ka firmosur kontratën e tij të parë profesionale me klubin bardhezi, duke hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij. 17-vjeçari ka nënshkruar kontratë trevjeçare me Juventusin, […]

Madhësia e shkronjave

Historia e familjes Marchisio me Juventusin po vazhdon edhe përmes gjeneratës së re. Davide Marchisio, djali i madh i ish-mesfushorit dhe legjendës së Juventusit, Claudio Marchisios, ka firmosur kontratën e tij të parë profesionale me klubin bardhezi, duke hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij.

17-vjeçari ka nënshkruar kontratë trevjeçare me Juventusin, e vlefshme deri në vitin 2028. Davide, i lindur më 31 gusht 2009, është pjesë e akademisë së klubit dhe këtë sezon ka nisur të ketë një rol të rëndësishëm te skuadra e re e Juventusit në kampionatin U 18.

Marchisio Jr. ka qenë një prej lojtarëve të spikatur të grupit, duke treguar ritëm dhe vizion në mesfushë, elemente që kanë bërë që Juventusi të besojë te zhvillimi i tij.

Edhe sezoni i kaluar ishte pozitiv për të. Me ekipin U 17, Davide zhvilloi 23 paraqitje dhe shënoi tre gola, njëri prej tyre në derbin kundër Torinos.

Rrugëtimi i tij në akademinë e Juventusit ka marrë edhe një tjetër shtysë në fund të sezonit të kaluar, kur ai u ftua nga Luciano Spalletti për të marrë pjesë në një seancë stërvitore me ekipin e parë në Continassa.

Në këtë rrugëtim, pranë Davides është edhe babai i tij, Claudio, i cili e ndjek nga afër zhvillimin e djalit, duke i dhënë këshilla dhe duke e ndihmuar të ruajë ekuilibrin në një periudhë të rëndësishme të karrierës.

Për Davide, firmosja e kontratës së parë me Juventusin është një moment i veçantë, pasi bëhet fjalë për klubin ku babai i tij u shndërrua në një prej figurave më të dashura të tifozëve.

“Jam krenar që kam firmosur kontratën time të parë profesionale me skuadrën që ëndërroj dhe e dua që kur isha fëmijë. Do të vazhdoj të punoj me shumë ambicie dhe dëshirë për t’u përmirësuar, duke dhënë gjithçka për këto ngjyra. Deri në fund”, shkroi Davide Marchisio në rrjetet sociale.

Tashmë, Davide ka nisur të shkruajë kapitullin e tij me Juventusin, me synimin për të ndjekur gjurmët e babait dhe për të arritur një ditë deri te skuadra e parë e klubit bardhezi. /Telegrafi/