​Pas deklaratës për “spastrimin etnik”, Paunoviq dhe Daçiq këndojnë së bashku këngë nacionaliste për Kosovën

Nacionale

Ministrja serbe Snezhana Paunoviq, e cila më herët shkaktoi reagime të shumta me deklaratën për “spastrimin etnik të Kosovës”, tani është filmuar duke kënduar së bashku me Ivica Daçiqin, në një festë, këngë me motive nacionaliste. Në videon e publikuar në Instagram shihet Snezhana Paunoviq duke kënduar së bashku me Ivica Daçiqin, ndërsa në sfond […]

Madhësia e shkronjave

Ministrja serbe Snezhana Paunoviq, e cila më herët shkaktoi reagime të shumta me deklaratën për “spastrimin etnik të Kosovës”, tani është filmuar duke kënduar së bashku me Ivica Daçiqin, në një festë, këngë me motive nacionaliste.

Në videon e publikuar në Instagram shihet Snezhana Paunoviq duke kënduar së bashku me Ivica Daçiqin, ndërsa në sfond performon një bend.

Paunoviq, më 11 korrik 2026, duke folur për atë se çfarë do të kishte bërë nëse do të ishte në vendin e Sllobodan Milosheviqit në vitin 1998, deklaroi se do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, shkruan The Geopost.

Më vonë ajo u përpoq ta shpjegonte deklaratën e saj, duke thënë se kishte folur për largimin e shqiptarëve që nuk e ndienin veten si banorë të atëhershëm të RFJ-së, ndërsa termin “spastrimi etnik” më pas u përpoq ta zëvendësonte me termin “deportim”.

Deklarata shkaktoi dënime në Serbi, Kosovë dhe në Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian deklaroi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon apo promovon spastrimin etnik.

Ivica Daçiq, megjithatë, doli në mbrojtje të koleges së tij të partisë, duke thënë se ata që e akuzojnë atë për gjoja thirrje për spastrim etnik, në të njëjtën kohë heshtin për pozitën e serbëve në Kosovë.

Tani Paunoviq dhe Daçiq shfaqen së bashku në një video të re, duke kënduar në një atmosferë muzikore nacionaliste dhe me simbole serbe.

Duke pasur parasysh deklaratën e mëparshme të ministres dhe mbrojtjen publike të Daçiqit, videoja ka rihapur sërish çështjen e mesazheve politike që të dy ata përcjellin në publik kur bëhet fjalë për Kosovën.