IKShPK alarmon për fruthin: 172 raste, mbi 95% e të prekurve të pavaksinuar

Nacionale

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit, duke e cilësuar atë si masën më të rëndësishme dhe të sigurt për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe komunitetit. Sipas të dhënave të publikuara nga IKShPK, gjatë periudhës nga 16 prilli deri më 20 shtator 2026, në […]

Madhësia e shkronjave

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit, duke e cilësuar atë si masën më të rëndësishme dhe të sigurt për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe komunitetit.

Sipas të dhënave të publikuara nga IKShPK, gjatë periudhës nga 16 prilli deri më 20 shtator 2026, në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 172 raste me fruth. Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar shtatë raste të reja.

Instituti ka bërë të ditur se mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara janë te persona të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola.

“Vaksinimi është mbrojtja më e mirë – së bashku mbrojmë shëndetin e fëmijëve”, thuhet në komunikatën e IKShPK-së.

Krahas vaksinimit të rregullt sipas kalendarit të imunizimit, IKShPK ka njoftuar se është intensifikuar edhe vaksinimi i vonuar, i njohur si catch-up, për fëmijët që, për arsye të ndryshme, nuk janë vaksinuar në kohën e paraparë.

Sipas institutit, gjatë këtij viti mbi 3 mijë e 176 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç janë vaksinuar përmes programit të vaksinimit të vonuar.

IKShPK ka vlerësuar angazhimin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë, institucioneve dhe qytetarëve në rritjen e nivelit të vaksinimit dhe mbrojtjen e fëmijëve nga fruthi.

Instituti ka theksuar se vaksinimi i fëmijëve kontribuon në parandalimin e përhapjes së sëmundjes dhe në mbrojtjen e komunitetit./Telegrafi