Nga mungesa e gjumit dhe stresi te barnat dhe telefoni – disa zakone të përditshme mund ta lodhin vëmendjen më shumë sesa mendojmë
Edhe pse disa persona kanë çrregullim të diagnostikuar të deficitit të vëmendjes me hiperaktivitet (ADHD), i cili mund ta vështirësojë fokusimin, në përqendrim ndikojnë edhe shumë faktorë të tjerë.
Mes tyre janë mosha, gjendja e përgjithshme shëndetësore, cilësia e gjumit, ambienti ku qëndrojmë dhe gjendja emocionale. Ndikim të madh kanë edhe zakonet e përditshme.
Për shembull, konsumimi i tepërt i alkoolit mund t’i ngadalësojë funksionet e trurit, ndërsa fluksi i vazhdueshëm i mesazheve, e-maileve dhe njoftimeve nga telefoni e ngarkon sistemin e vëmendjes.

Një nga aftësitë që dobësohet më shpejt kur nuk flemë mjaftueshëm është pikërisht vëmendja e qëndrueshme.
Në të njëjtën kohë, stresi emocional ndikon negativisht në korteksin prefrontal, pjesë e trurit që ka rol të rëndësishëm në vëmendje dhe kujtesën e punës. Edhe kryerja e disa detyrave njëkohësisht shpenzon dukshëm më shumë energji mendore sesa fokusimi në një aktivitet të vetëm.
Në aftësinë për t’u përqendruar mund të ndikojnë edhe disa barna me recetë ose pa recetë.
Mes tyre mund të jenë preparatet për gjumë, alergji, ftohje dhe grip, si edhe disa barna kundër ankthit, krizave epileptike dhe dhimbjeve.
Po ashtu, në disa raste fokusin mund ta ndikojnë kortikosteroidet, barnat për zemrën dhe tensionin e gjakut, sedativët, disa antidepresivë, antihistaminikë, si dhe barna për sëmundjen e Parkinsonit ose problemet urinare.
Nëse vështirësitë me përqendrimin shfaqen pas fillimit të një terapie të re, nuk duhet ndërprerë vetë mjekimi. Është më mirë të diskutohet me mjekun ose farmacistin, trasnmeton Telegrafi.
Çdo person funksionon ndryshe dhe për disa është natyrshëm më e vështirë të ruajnë vëmendjen për një kohë të gjatë.
Megjithatë, këshillohet konsultë mjekësore nëse vëreni ndryshime të reja ose të papritura në aftësinë për t’u përqendruar.
Vëmendje kërkojnë situatat kur vështirësitë fillojnë të ndikojnë në përfundimin e detyrave të zakonshme, kur harroni shpesh sende të rëndësishme si çelësat ose telefoni, apo kur filloni të merrni vendime të pazakonta për ju.
Në disa raste, probleme të tilla mund të lidhen me gjendje si depresioni, ankthi, çrregullimet e gjumit, sëmundje të caktuara neurologjike ose probleme të tjera shëndetësore.
Shprehja “mjegull e trurit” nuk është diagnozë mjekësore. Ajo përdoret për të përshkruar ndjesinë e ngadalësisë mendore, hutimit, vështirësisë për të gjetur fjalët apo problemeve me kujtesën.
Shkaqet mund të jenë të ndryshme, përfshirë mungesën e gjumit, efektet anësore të barnave, stresin ose ndryshimet hormonale.
Ndryshimet e stilit të jetesës mund ta përmirësojnë fokusin
Përqendrimi shpesh mund të përmirësohet përmes kombinimit të zakoneve të shëndetshme dhe strategjive praktike.
Aktiviteti fizik i rregullt, gjumi i mjaftueshëm dhe një rutinë e qëndrueshme mund ta ndihmojnë trurin të funksionojë më mirë.
Rekomandohet që të rriturit të synojnë rreth 150 minuta aktivitet aerobik me intensitet mesatar në javë, si ecje e shpejtë, not ose biçikletë.
Gjumi prej rreth shtatë deri në nëntë orë në natë është po ashtu i rëndësishëm, ndërsa ndihmon edhe të flemë dhe të zgjohemi afërsisht në të njëjtën kohë çdo ditë.
Meditimi i ndërgjegjshëm, ose mindfulness, mund të jetë gjithashtu i dobishëm, sepse e stërvit vëmendjen për t’u rikthyer te momenti aktual.
Strategji të thjeshta për përqendrim më të mirë
Organizimi i punës në blloqe kohore me pushime të shkurtra mund të ndihmojë, sepse vëmendja bie natyrshëm pas një periudhe të caktuar.
Edhe jeta shoqërore ka rëndësi. Vetmia, stresi dhe depresioni mund ta dëmtojnë fokusin, ndërsa kontakti me njerëzit e afërt ndihmon në ruajtjen e aktivitetit mendor.
Në fund, përqendrimi nuk varet vetëm nga “forca e vullnetit”. Ai ndikohet nga gjumi, stresi, ambienti, zakonet, shëndeti dhe mënyra si e organizojmë ditën. /Telegrafi/





