Leotrim Krasniqi nuk është më trajner i Vëllaznimit. Klubi gjakovar ka njoftuar të dielën se me marrëveshje të përbashkët ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin.
“Me marrëveshje të përbashkët, ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Leotrim Krasniqi”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.
Krasniqi e kishte nisur shumë mirë sezonin me Vëllaznimin, pasi skuadra gjakovare regjistroi tri fitore në tri ndeshjet e para. Megjithatë, pas këtij starti pozitiv, rezultatet nisën të mungonin dhe Vëllaznimi pësoi tri humbje radhazi.
Kjo seri negative bëri që pozita e Krasniqit në stolin e Vëllaznimit të vihej në pikëpyetje, për t’u konfirmuar më pas edhe ndarja mes palëve. Pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara, Vëllaznimi renditet në vendin e gjashtë me 9 pikë.
Për Krasniqin ky është largimi i dytë nga drejtimi i Vëllaznimit. Ai kishte drejtuar skuadrën gjakovare edhe më herët, ku e humbi kthimin në elitë në ndeshjen e fundit.
Klubi gjakovar, ndërkohë, i ka uruar Krasniqit suksese në vazhdimin e karrierës dhe e ka falënderuar për bashkëpunimin. Vëllaznimi pritet të bëjë të ditur në ditët në vijim emrin e trajnerit që do ta drejtojë skuadrën pas largimit të Krasniqit. /Telegrafi/






