Presidenti Donald Trump ka deklaruar se Houthët e Jemenit kanë rënë dakord të mos i sulmojnë Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se grupi i ka shtuar së fundmi sulmet ndaj Arabisë Saudite.
Presidenti tha se Uashingtoni është “në komunikim të vazhdueshëm me Huthët dhe se ata kanë rënë dakord të mos luftojnë kundër Shteteve të Bashkuara”, raportoi Fox News, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Trump e ka pohuar edhe më parë se Houthët po përmbahen nga sulmet ndaj forcave amerikane në rajon.
“Houthët na telefonuan dhe nuk duan të luftojnë me ne”, tha Trump gjatë një vizite në Irlandë më 12 shtator.
Këto komente të fundit vijnë në një kohë kur Arabia Saudite po përballet me sulme të vazhdueshme nga Houthët; të shtunën, një raketë kishte në shënjestër kryeqytetin, Riadin.
Ndërsa duke folur rreth luftës me Iranin, Trump paralajmëroi se ka hyrë në një fazë vendimtare vendimmarrjeje lidhur me situatën e tensionuar me Iranin, duke theksuar se do të ketë zhvillime të mëdha nëse Teherani nuk ndryshon sjelljen e tij.
“Pyetja ime është: nëse dhe kur ta shkatërroj plotësisht atë komb? Më mirë të sillen mirë”, i tha Trump kanalit Fox News, duke shpjeguar qasjen e tij ndaj kësaj çështjeje.
Presidenti amerikan i përshkroi opsionet e tij aktuale si: shkatërrimi i vendit, lënia e tij që të “kalbet” ekonomikisht, ose negocimi i një marrëveshjeje, duke shtuar se “gjëra shumë të mëdha do të ndodhin në një të ardhme jo shumë të largët”.
Kur u pyet për javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila fillon të hënën, Trump tregoi gatishmëri për angazhim diplomatik, duke thënë se “ndoshta do të ishte i hapur” për një takim me presidentin iranian, Masoud Pezeshkian.
As Teherani dhe as Pezeshkiani nuk reaguan menjëherë ndaj komenteve të Trumpit lidhur me një takim të mundshëm. /Telegrafi/






