Gjatë Operacionit Vivaldi, forcat ukrainase vendosën robotë tokësorë pas linjave të armikut për herë të parë.
Këtë e bëri të ditur Trupi i Tretë i Ushtrisë në Telegram, duke dhënë detaje mbi Operacionin Vivaldi.

“Trupi i Tretë i Ushtrisë kreu një manovër anësore, duke vendosur për herë të parë në botë robotë tokësorë pas linjave të armikut, si dhe duke i ‘verbuar’ dronët rusë”, thuhej në deklaratë.
Sipas raportit, bombardues të rëndë hodhën robotë tokësorë kamikazë thellë pas linjave të armikut, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Këmbësoria i fiton luftërat, por ne e mbrojmë këmbësorinë tonë, ndaj robotët shkojnë të parët drejt armikut. Mbrojtja ajrore dhe lufta elektronike i ‘verbuan’ dronët e armikut, në mënyrë që ai të mos mund ta zbulonte planin e ofensivës”, tha Trupi i Tretë i Ushtrisë gjatë përshkrimit të operacionit.
Siç u raportua më herët sot, komandanti i Trupit të Tretë të Ushtrisë, gjeneral-brigade Andrii Biletskyi, deklaroi se, si pjesë e ofensivës së Operacionit Vivaldi, forcat ukrainase kishin çliruar vendbanimet Shandryholove dhe Derylove dhe kishin vendosur kontroll të plotë mbi Drobysheve në rajonin e Donetskut. /Telegrafi/





