Manchester United ka barazuar 1-1 me Fulhamin në kuadër të javës së pestë të Ligës Premier, në një ndeshje ku skuadra e Michael Carrickut arriti të shmangë humbjen vetëm në minutat e fundit.
Pjesa e parë solli disa raste të mira për të dyja skuadrat. Manchester United ishte pranë golit me Bruno Fernandes, i cili në minutën e 25-të goditi shtyllën, ndërsa Matheus Cunha pati një tjetër mundësi të artë në minutën e 31-të, por goditja e tij përfundoi sërish në shtyllë.
Në pjesën e dytë, Fulhami kaloi në avantazh në mënyrë të pafat për Manchester Unitedin. Në minutën e 63-të, Lisandro Martinez devijoi topin në portën e tij, duke i dhënë epërsinë 1-0 skuadrës londineze.
Manchester United tentoi të reagonte dhe krijoi disa raste, por Bernd Leno ishte në formë të mirë. Gjithsesi, në minutën e 89-të erdhi barazimi.
Patrick Dorgu pasoi për Matheus Cunhan, i cili goditi nga distanca dhe pas një devijimi topi përfundoi në rrjetë për 1-1.
Në minutat e fundit United kërkoi edhe golin e fitores, por nuk arriti ta përmbysë rezultatin. Kështu, të dyja skuadrat u desh të kënaqeshin me nga një pikë.
Pas pesë javësh, Manchester United mbetet në vendin e 12-të me pesë pikë, ndërsa Fulham ndodhet në vendin e 19-të me vetëm dy pikë. Për “Djajtë e Kuq”, starti i sezonit vazhdon të jetë larg pritshmërive, ndërsa barazimi ndaj Fulhamit nuk mjafton për një ngjitje të ndjeshme në tabelë. /Telegrafi/






