Pas aktgjykimit në Hagë, Deda kërkon bashkim të partive politike dhe propozon 10 pika

Nacionale

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka propozuar një sërë masash politike dhe institucionale për reagimin e Kosovës pas aktgjykimit ndaj katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe për përgatitjen e procedurave të Apelit. Deda ka qenë deputet në dy legjislatura të Kuvendit të Kosovës. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Deda ka thënë […]

Madhësia e shkronjave

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka propozuar një sërë masash politike dhe institucionale për reagimin e Kosovës pas aktgjykimit ndaj katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe për përgatitjen e procedurave të Apelit.

Deda ka qenë deputet në dy legjislatura të Kuvendit të Kosovës.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Deda ka thënë se në këtë periudhë nevojitet, sipas tij, “lidershipi politik dhe vendime të qarta politike që në qendër e kanë Kosovën”.

Ai ka propozuar që partitë politike të arrijnë një marrëveshje për stabilizimin politik të vendit, duke përfshirë edhe një kandidat të përbashkët për president, zgjerimin e pjesëmarrjes në Qeveri dhe emërime të reja në disa ministri.

“Të arrijnë një marrëveshje politike për stabilizimin politik të vendit, ku pjesë e kësaj marrëveshjeje do të jetë kandidati i përbashkët për president të Kosovës, zgjerimi i pjesëmarrjes në Qeveri dhe emërime të reja në disa ministri”, ka shkruar Deda.

Sipas tij, partitë duhet të dakordohen edhe për një qëndrim të përbashkët shtetëror, i cili më pas do të shndërrohej në rezolutë të Kuvendit, duke theksuar se vendimi i shkallës së parë nuk është përfundimtar dhe se Kosova duhet të mbështesë një proces të drejtë të Apelit.

Deda ka kërkuar gjithashtu ndarjen e menjëhershme të fondeve për zgjerimin e ekipeve të mbrojtjes dhe përgatitjen e ankesave.

“Financimi nuk mund të shndërrohet në kontroll politik të strategjive të mbrojtjes”, ka theksuar ai.

Një tjetër propozim i Dedës është angazhimi i një grupi të pavarur ekspertësh ndërkombëtarë për analizimin e aktgjykimit dhe dosjes së gjykimit në bashkëpunim me ekipet mbrojtëse.

“Apeli nuk është një përsëritje e gjykimit, sepse ai duhet të ndërtohet mbi identifikimin e saktë të gabimeve juridike, gabimeve në vlerësimin e fakteve dhe gabimeve në përcaktimin e dënimeve”, ka shkruar ai.

Në mesin e propozimeve të tij është edhe krijimi i një mekanizmi shtetëror koordinues me përfaqësues të Presidencës, Qeverisë, partive parlamentare dhe ekspertëve të pavarur juridikë e diplomatikë.

Deda ka kërkuar po ashtu që përmes kanaleve diplomatike të kërkohet nga NATO-ja, OSBE-ja, ish-Misioni Verifikues në Kosovë, Shqipëria, SHBA-ja, Britania e Madhe dhe shtetet e tjera të përfshira gjatë luftës që të hulumtojnë arkivat dhe, kur është e mundur, të deklasifikojnë ose t’ua dorëzojnë mbrojtjes dokumentet relevante.

Ai ka përmendur edhe nevojën për diskutime me BE-në dhe shtetet e QUINT-it lidhur me pavarësinë dhe paanshmërinë e procedurës së Apelit.

Sa i përket diplomacisë, Deda ka bërë dallim mes kërkesës për ndërhyrje në vendimmarrjen e gjykatës dhe mbrojtjes së integritetit të procesit.

“Diplomacia e Kosovës nuk duhet t’u kërkojë qeverive aleate që ta diktojnë vendimin e Apelit, sepse këtë as nuk mund dhe as nuk duhet ta bëjnë, por DUHET të kërkojë që ta mbrojnë integritetin e procesit”, ka deklaruar ai.

Në fund, Deda ka kërkuar që partitë të dakordohen për komunikim të përbashkët publik dhe të ruhet rendi e siguria, duke theksuar se protestat dhe shprehja e pakënaqësisë janë të kuptueshme, por jo dhuna dhe gjuha e urrejtjes.

“Kosova MUNDET që në të njëjtën kohë t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve të saj, ta kundërshtojë një vendim thellësisht të padrejtë përmes mjeteve juridike, t’i respektojë viktimat, ta ruajë sigurinë dhe stabilitetin e brendshëm dhe t’i rindërtojë raportet me aleatët”, ka shkruar Deda.

Ai e ka përmbyllur reagimin duke e cilësuar këtë periudhë si “testin më të madh për gjithë politikën e vendit”. /Telegrafi/