Koreja e Veriut ka lëshuar të dielën një raketë të dyshuar balistike drejt Detit të Lindjes, sipas zyrës së kryeministrit të Japonisë, ndërsa ushtria e Koresë së Jugut raportoi se Pheniani kishte hedhur një “objekt të paidentifikuar”.
Lëshimi vjen vetëm pak ditë pasi Koreja e Veriut kundërshtoi një rezolutë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) lidhur me programin e saj bërthamor.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut deklaroi se rezoluta e IAEA-së “nuk ka asnjë efekt” mbi qëndrimin e Phenianit si shtet me armë bërthamore.
Në gusht, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, posedon “57 armë bërthamore shumë të fuqishme”, ndërsa përsëriti vlerësimin e tij pozitiv për marrëdhënien personale me liderin koreanoverior.
“Fakti që unë shkoj mirë me të është një gjë e mirë, jo e keqe”, kishte deklaruar Trump, duke shtuar se arsenali bërthamor i Phenianit “nuk duhej të ishte lejuar kurrë”, transmeton Telegrafi.
Në atë kohë, Trump tha gjithashtu se synonte të takohej me Kim Jong-un më vonë gjatë këtij viti. Nëse realizohet, ky do të ishte takimi i parë mes tyre që nga mandati i parë i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
Të premten, presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, tha se po i kërkonte Trumpit të ruante kanalet e dialogut me Phenianin.
Lee tha se Seuli po punon për të krijuar kushtet për bisedime mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së, duke theksuar se duhet bërë çdo përpjekje për ta kthyer një takim të mundshëm mes palëve në realitet.
Megjithatë, perspektiva për një takim të afërt është komplikuar nga deklaratat e Kim Yo Jong, motrës së fuqishme të Kim Jong-unit.
Ajo kritikoi stërvitjet e fundit ushtarake në Paqësorin Perëndimor, duke i cilësuar si një “provë lufte të udhëhequr nga SHBA-ja”.
SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia përfunduan më 11 shtator stërvitjen e përbashkët Freedom Edge 26, për të cilën Komanda Amerikane në Paqësor tha se kishte për qëllim forcimin e gatishmërisë së përbashkët të tre vendeve në rajonin Indo-Paqësor.
Kim Yo Jong paralajmëroi se Koreja e Veriut do të vazhdojë të forcojë parandalimin e saj bërthamor, duke thënë se vullneti i Phenianit për të mbrojtur sovranitetin do të shprehet përmes veprimeve gjithnjë e më të qarta.
Lëshimi i fundit i raketës vjen kështu në një moment kur SHBA-ja dhe aleatët e saj po kërkojnë të rikthejnë dialogun me Phenianin, ndërsa Koreja e Veriut vazhdon të zgjerojë dhe mbrojë programin e saj bërthamor. /Telegrafi/






