Gjenerali gjerman Carsten Breuer, shefi i Mbrojtjes së Gjermanisë, është zgjedhur të drejtojë Komitetin Ushtarak të NATO-s, organin më të lartë ushtarak të Aleancës.
Breuer u zgjodh të shtunën nga shefat e mbrojtjes të 32 vendeve anëtare gjatë një takimi në Kopenhagë. Njoftimin e bëri kryetari aktual i Komitetit Ushtarak, admirali italian Giuseppe Cavo Dragone.
Breuer do ta marrë detyrën në korrik 2027, duke pasuar Dragone dhe do të qëndrojë në këtë post për një mandat trevjeçar, transmeton Telegrafi.
Si kryetar i Komitetit Ushtarak, Breuer do të jetë këshilltari kryesor ushtarak i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe do të shërbejë si lidhja kryesore mes shefave të shtabeve të vendeve aleate dhe drejtuesve politikë të Aleancës.
Së bashku me Komandantin Suprem të Forcave Aleate në Evropë, SACEUR, kryetari i Komitetit Ushtarak është ndër figurat më të rëndësishme ushtarake në strukturën e NATO-s.
Mandati i Breuerit përkon me përpjekjet e Aleancës për të forcuar kapacitetet e saj të parandalimit dhe mbrojtjes, veçanërisht përballë kërcënimit të perceptuar nga Rusia dhe objektivit për forcimin e mbrojtjes evropiane deri në vitin 2029.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e përshëndeti zgjedhjen e Breuerit, duke vlerësuar përvojën e tij strategjike dhe rolin në riorganizimin e Bundeswehr-it.
“Tani ai do ta sjellë të gjithë forcën dhe përvojën e tij në NATO, e cila përballet me sfida të mëdha historike”, deklaroi Pistorius.
Breuer është ushtari më i lartë në hierarkinë e Bundeswehr-it dhe që nga marsi i vitit 2023 mban postin e Inspektorit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjermane.
Më herët ai drejtoi Komandën Territoriale të Bundeswehr-it, të cilën e kishte krijuar vetë, ndërsa fitoi vëmendje kombëtare edhe gjatë pandemisë së COVID-19, kur drejtoi shtabin e krizës në Kancelarinë Federale nën ish-kancelarin Olaf Scholz.
Breuer është oficer i mbrojtjes ajrore të ushtrisë dhe iu bashkua Bundeswehr-it në vitin 1984. Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë.
Gjermania ende nuk ka emëruar pasardhësin e tij në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të Bundeswehr-it. /Telegrafi/






