Cruz Beckham ka ndarë një fotografi të re me të dashurën e tij, Jackie Apostel, teksa të dy po përgatiteshin për një mbrëmje elegante së bashku.
Në selfie-n e realizuar para pasqyrës, 21-vjeçari shihet pas Jackie-t, ndërsa ajo pozon me një fustan të gjatë deri në dysheme, të dekoruar me rruaza të arta dhe me rripa të hollë. Jackie, 30 vjeç, kishte mbledhur flokët brune në një topuz elegant.
Cruz, i cili është këngëtar, kishte zgjedhur një këmishë të bardhë, pantallona blu të çelëta dhe mokasina ngjyrë bezhë, shkruan DailyMail.

Fotografia është realizuar në një dhomë hoteli luksoze, ndërsa Jackie reagoi ndaj postimit duke lënë një varg emoji me zemra në komente.
Kjo paraqitje vjen pasi Cruz ka qenë i pranishëm në disa prej eventeve të modës në Londër. Në fillim të javës, ai mori pjesë në sfilatën e H&M gjatë Javës së Modës në Londër, ku protestues të PETA-s u shfaqën jashtë eventit me pankarta dhe gjak të rremë në fytyrat e tyre.
Më 3 shtator, Cruz mori pjesë edhe në një festë të YSL në Londër së bashku me vëllain e tij, Romeo.
Dy vëllezërit shoqëroheshin nga të dashurat e tyre, Jackie dhe Kim Turnbull. Në event ishin të pranishëm edhe emra të tjerë të njohur, mes tyre Lila Moss, si dhe Gene dhe Lennon Gallagher e Rafferty Law.
Ndërkohë, Brooklyn Beckham nuk ishte pjesë e eventit, në një kohë kur marrëdhënia e tij me pjesën tjetër të familjes Beckham është përshkruar si e tensionuar pas një konflikti familjar.
Cruz dhe grupi i tij muzikor, The Breakers, kanë pasur gjithashtu një periudhë të ngjeshur në muzikë, duke performuar në festivalet Reading dhe Leeds.
Pas këtyre shfaqjeve, ai publikoi një foto familjare ku shfaqeshin David dhe Victoria Beckham, Romeo dhe motra e tij Harper, 15 vjeç. Në foto ishin edhe Jackie dhe Kim.
Në një postim tjetër, Cruz i bëri homazh të dashurës së tij Jackie, e cila është gjithashtu menaxherja e tij muzikore, ndërsa falënderoi edhe anëtarë të tjerë të ekipit të tij për mbështetjen gjatë performancave. /Telegrafi/





