Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar në New York një bashkëbisedim me të rinjtë e diasporës shqiptare në SHBA, me temën “Between Here and Home”, të organizuar nga grupet shqiptaro-amerikane ZANI, F’Oda dhe Columbia University Albanian Society.
Kurti ka bërë të ditur se në delegacionin e Kosovës, përveç anëtarëve të Qeverisë, janë edhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, dhe deputeti Shaip Kamberi.
Gjatë takimit, sipas Kurtit, është diskutuar për një sërë çështjesh, përfshirë zhvillimet ekonomike në Kosovë, sistemin e drejtësisë, barazinë gjinore dhe bashkëpunimin mes shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor dhe diasporë.

Kurti ka theksuar se ekonomia e Kosovës është rritur me 5.4 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, ndërsa ka deklaruar se papunësia është ulur nga 26 për qind në 10 për qind gjatë qeverisjes së tij.
Një pjesë e diskutimit i është kushtuar edhe sistemit gjyqësor, për të cilin Kurti ka thënë se nevojiten përmirësime të mëtejshme në integritet dhe performancë, duke iu referuar edhe kritikave të përfshira në raportet ndërkombëtare, përfshirë raportet e Komisionit Evropian.
Kryeministri ka folur edhe për vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai ka deklaruar se Qeveria e Kosovës do të angazhohet për të mbështetur përpjekjet për kundërshtimin e këtij vendimi.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje, në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili është i padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se është e nevojshme një dakordim për një strategji shtetërore lidhur me reagimin ndaj vendimit të shkallës së parë, si në mbështetjen e ekipeve mbrojtëse në instancat e apelit, ashtu edhe në rrafshin diplomatik.
“Do të bashkëpunojmë me aleatët tanë ndërkombëtarë, do të angazhohemi pandërprerë në mbrojtjen e luftës sonë çlirimtare përballë propagandave të Serbisë dhe, njëkohësisht, në zbardhjen e masakrave dhe krimeve të tjera të Serbisë në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, Beogradi zyrtar, edhe më shumë se 27 vjet pas përfundimit të luftës, vazhdon të përpiqet t’i fshehë këto krime./Telegrafi/





