Autoritetet iraniane kanë ekzekutuar Hossein Pedaranin, pasi ai ishte dënuar përfundimisht për spiunazh dhe bashkëpunim me shërbimin izraelit të inteligjencës, Mossad, raportojnë agjencitë iraniane.
Pedarani akuzohej se u kishte dorëzuar agjentëve izraelitë të dhëna tepër konfidenciale për lokacione të rëndësishme ushtarake dhe sisteme raketore në provincën Isfahan. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, hetuesit gjetën dhe sekuestruan pajisje të koduara, si dhe pajisje të fshehura për regjistrim.
Agjencia zyrtare iraniane e drejtësisë, Mizan, publikoi detaje nga dëshmia e tij. Sipas këtij raporti, Pedarani fillimisht kishte tentuar të kontaktonte CIA-n amerikane, duke u ofruar për bashkëpunim, por pasi nuk mori përgjigje, iu drejtua Mossadit.
Disa ditë më vonë, ai mori përgjigje nga një person i inteligjencës që u prezantua si “Ben” dhe përdorte një numër telefoni holandez në aplikacionin WhatsApp.
Shërbimet iraniane pretendojnë se Pedarani kishte rivendosur kontaktin me Mossadin përmes aplikacionit Telegram pas shpërthimit të luftës 12-ditore, pak para se të arrestohej në Isfahan nën akuzat që lidhen me këtë konflikt.
Pas përfundimit të procesit gjyqësor, ai u dënua me vdekje për spiunazh dhe bashkëpunim me një shtet armik. Gjykata Supreme e Iranit e konfirmoi dënimin, pas së cilës u krye edhe ekzekutimi, raportojnë agjencitë Tasnim dhe Mizan. /Telegrafi/






