Sopjani: Zhbërja e Speciales mund të bëhet, por ndryshimet kushtetuese janë problematike

Nacionale

Avokati Shkëlzen Sopjani ka deklaruar se zhbërja e Dhomave të Specializuara në Hagë është e mundur, por sipas tij, një proces i tillë do të përballej me procedura të ndërlikuara, përfshirë edhe ndryshime kushtetuese. Duke folur për mundësinë e ndryshimit apo përfundimit të mandatit të Dhomave të Specializuara, Sopjani, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, […]

Madhësia e shkronjave

Avokati Shkëlzen Sopjani ka deklaruar se zhbërja e Dhomave të Specializuara në Hagë është e mundur, por sipas tij, një proces i tillë do të përballej me procedura të ndërlikuara, përfshirë edhe ndryshime kushtetuese.

Duke folur për mundësinë e ndryshimit apo përfundimit të mandatit të Dhomave të Specializuara, Sopjani, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, ka theksuar se procedurat për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës kërkojnë edhe mbështetjen e dy të tretave të deputetëve që përfaqësojnë komunitetet joshumicë.

“Ndryshimi mundet me u bë por janë disa çështje që përfshijnë edhe ndryshime kushtetuese, tash këto ndryshimet kushtetuese janë problematike duke marrë parasysh procedurat që nevojiten për të ndryshuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës të cilën në këtë rast nevojiten edhe 2/3 të pakicave e me Kushtetutë këto Dhomat e Veçanta e kanë një paragraf aty në amandametin 162 që ka qenë amandament i Kushtetutës pikërisht për Dhomat e Specializuara ku thotë që edhe pas përfundimit të mandatit qoftë me ligj apo me kohë – çështjet e mbetura apo të papërfunduara thotë se vazhdojnë të trajtohen nga Dhomat e Specializuara. Ky është problemi sepse edhe kjo çështje mund të konsiderohet që ka mbetur në procedurë dhe e papërfunduar”, u shpreh Sopjani.

Ai ka thënë se çdo përpjekje për ndryshimin e statusit të Dhomave të Specializuara kërkon një analizë të thellë juridike, duke marrë parasysh edhe pasojat e mundshme në raport me faktorët ndërkombëtarë.

Sopjani është shprehur gjithashtu se nuk ka dyshim, sipas tij, se aktgjykimi i fundit është politik dhe e ka ndërlidhur atë me aktgjykimet e mëparshme të gjyqtarit në kuadër të UNMIK-ut.

“Ndryshimet kërkojnë analizë të thellë dhe vlerësim duke marrë parasysh edhe pasojat që mund të jenë nga ndërkombëtarët – nuk kam asnjë dyshim që aktgjykimi është puro politik dhe në vazhdën e aktgjykimeve që ka dhënë ky gjyqtar edhe në UNMIK”, u shpreh Sopjani./Tv Dukagjini