Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka deklaruar se Evropa duhet të ketë një përfaqësues të vetëm për të folur në emër të saj, duke vlerësuar se një qasje e tillë do ta forconte dhe qartësonte qëndrimin evropian.
“Formalizimi dhe përcaktimi se kush flet në emër të Evropës do ta forconte qëndrimin evropian”, tha Meloni.
Sipas saj, aktualisht po përdoren shumë formate, organizohen shumë ngjarje dhe ka shumë bashkëbisedues, ndërsa në një periudhë të ndjeshme do të ishte më e dobishme që Evropa të kishte një interlocutor të vetëm.
Meloni foli edhe për tensionet me Moskën, duke thënë se provokimet nga Rusia po shtohen për shkak të nevojës së presidentit rus, Vladimir Putin, për të zhvendosur vëmendjen nga situata në Ukrainë.
Ajo vlerësoi se zhvillimet në fushëbetejë nuk po shkojnë sipas parashikimeve dhe premtimeve që Putini u kishte bërë qytetarëve rusë.
“Besoj se nuk duhet t’u përgjigjemi këtyre provokimeve. Përgjigjja ndaj tyre do të ishte më shumë në interes të Moskës sesa të Evropës”, tha Meloni.
Deklaratat e kryeministres italiane vijnë në një periudhë tensionesh të shtuara mes Rusisë dhe vendeve evropiane lidhur me luftën në Ukrainë dhe sigurinë në Evropë. /Telegrafi/






