Polonia ka mbyllur përkohësisht aeroportet në Lublin dhe Rzeszów, për shkak të operacioneve të aviacionit ushtarak, njoftuan autoritetet polake të navigimit ajror.
Komanda Operative e Forcave të Armatosura të Polonisë tha se aktiviteti i aviacionit ushtarak në hapësirën ajrore të vendit lidhet me sulmet ruse me dronë ndaj territorit perëndimor të Ukrainës.
Autoritetet polake deklaruan se sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore dhe ato të zbulimit me radar janë vendosur në gjendje gatishmërie.
Sipas ushtrisë polake, masat janë parandaluese dhe synojnë garantimin e sigurisë së hapësirës ajrore, veçanërisht në zonat pranë rajoneve që mund të kërcënohen nga sulmet.
Polonia ka aktivizuar dhe ngritur në gatishmëri sistemet e saj të mbrojtjes ajrore disa herë së fundmi.
Kjo është hera e tretë këtë javë që autoritetet polake ndërmarrin masa të tilla në përgjigje të sulmeve ruse ndaj Ukrainës.
Ndërkohë, gjatë fundjavës, një sulm rus që goditi një linjë hekurudhore pranë kufirit me Poloninë preku edhe trenin që ndodhej pas një treni me diplomatë evropianë. Në mesin e tyre ishte edhe ish-kryeministri britanik Boris Johnson.






