Vritet gjenerali rus që e informoi personalisht Putinin për “pushtimin” e Konstantinivkës

Bota

Gjeneralmajori rus Anton Grunis, komandant i Brigadës së 4-t të Veçantë të Gardës së Këmbësorisë së Motorizuar të ushtrisë ruse, u vra të shtunën në një sulm me dronë ukrainas në pjesën e pushtuar të rajonit të Donetskut. Këtë e njoftuan Forcat ukrainase të Sistemeve pa Pilot. “Gjenerali Grunis u eliminua të shtunën në strehën […]

Madhësia e shkronjave

Gjeneralmajori rus Anton Grunis, komandant i Brigadës së 4-t të Veçantë të Gardës së Këmbësorisë së Motorizuar të ushtrisë ruse, u vra të shtunën në një sulm me dronë ukrainas në pjesën e pushtuar të rajonit të Donetskut. Këtë e njoftuan Forcat ukrainase të Sistemeve pa Pilot.

“Gjenerali Grunis u eliminua të shtunën në strehën e tij të natës në territorin përkohësisht të pushtuar të rajonit të Donteskut”, tha Robert “Hungari” Brovdi, komandant i Forcave ukrainase të Sistemeve pa Pilot. Ai shtoi se sulmi u krye me dronë nga Brigada e 427-të e Veçantë e Sistemeve pa Pilot “Rarog”.

Vdekjen e Grunisit e konfirmoi edhe Apti Alaudinov, komandant i forcave speciale ruse “Ahmat” dhe zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Përgjithshme për Punë Ushtarako-Politike të Forcave të Armatosura ruse.

Alaudinov nuk dha detaje të tjera. Në një postim në platformën Max, të publikuar nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS, ai tha vetëm se Grunis “vdiq si hero, duke përmbushur deri në fund detyrën e tij të shenjtë”.

Në korrik, Grunis i kishte raportuar personalisht presidentit rus Vladimir Putin për pretendimin se ishte pushtuar Konstantinivka, një prej qyteteve-fortesë ukrainase në rajonin e Donjeckut. Shtabi i Përgjithshëm ukrainas dhe presidenti Volodymyr Zelensky e hodhën poshtë këtë pretendim, duke thënë se forcat ruse nuk e kishin pushtuar qytetin.

Luftimet për Konstantinivkën kanë vazhduar që atëherë, ndërsa forcat ruse po përpiqen ta marrin qytetin në kuadër të ofensivës në rajonin e Donjeckut. Putini e kishte përshkruar Grunisin në vitin 2023 si “një burrë me mbiemër lituanez, i lindur në Kazan, i cili lufton në mënyrë të shkëlqyer”.

Ministri rus i Mbrojtjes, Andrei Belousov, më 27 gusht e dekoroi Grunisin me medaljen “Ylli i Artë” dhe i dha titullin Hero i Rusisë për atë që Moska e përshkroi si “guxim dhe heroizëm” gjatë pushtimit të gjithanshëm rus të Ukrainës. /Telegrafi/