“Albanians for America”: Nuk pajtohemi me aktgjykimin, lufta e UÇK-së ishte luftë për lirinë e Kosovës

Nacionale

Organizata Albanians for America (AFA) ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një deklaratë, AFA ka thënë se e ka pranuar me “shqetësim të thellë dhe pezëm” vendimin, duke e cilësuar të padrejtë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. “Nuk pajtohemi me këtë aktgjykim […]

Madhësia e shkronjave

Organizata Albanians for America (AFA) ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një deklaratë, AFA ka thënë se e ka pranuar me “shqetësim të thellë dhe pezëm” vendimin, duke e cilësuar të padrejtë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

“Nuk pajtohemi me këtë aktgjykim dhe e konsiderojmë të padrejtë ndaj atyre që luftuan për lirinë e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Sipas organizatës, lufta e UÇK-së duhet të shihet në kontekstin e rrethanave në të cilat u zhvillua, duke theksuar se ajo ishte luftë për liri dhe mbrojtjen e popullit të Kosovës.

“UÇK-ja u ngrit në rrethanat e një regjimi represiv dhe të dhunshëm serb, kur qytetarët shqiptarë të Kosovës u përballën me vrasje, dëbime, shkatërrime dhe krime të rënda. Kjo e vërtetë historike nuk mund të zhbëhet”, thuhet më tej.

AFA ka kundërshtuar mundësinë që aktgjykimi të interpretohet si një gjykim i luftës së Kosovës në tërësi.

“Ky aktgjykim nuk duhet të shndërrohet në një gjykim të luftës së një populli për liri, as të krijojë një ekuivalencë historike dhe morale ndërmjet luftës çlirimtare të Kosovës dhe aparatit shtetëror serb, i cili ushtroi dhunë dhe kreu krime mbi popullsinë civile”, thuhet në deklaratë.

Organizata ka theksuar qëndrimin e saj se Serbia ishte agresore, ndërsa Kosova viktimë e konfliktit.

“Gjërat janë të qarta, Serbia ishte agresore, Kosova ishte viktimë. AFA është me UÇK-në, me luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri dhe me popullin e Kosovës”, thuhet në reagim.

AFA: Procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar

Albanians for America ka rikujtuar se aktgjykimi i shpallur sot është i shkallës së parë dhe se palët kanë të drejtë ankese.

“Aktgjykimi i sotëm nuk është fjala e fundit juridike. Ai është aktgjykim i shkallës së parë dhe, sipas procedurave të Dhomave të Specializuara, palët kanë të drejtë ta apelojnë para Panelit të Apelit. Prandaj, procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar”, thuhet në deklaratë.

Në fund, organizata ka deklaruar se do të vazhdojë të mbrojë atë që e quan të vërtetën historike të luftës së Kosovës, të drejtën e popullit shqiptar për liri dhe dinjitet, si dhe partneritetin strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“UÇK-ja luftoi për lirinë e Kosovës. Liria e Kosovës është e drejtë e popullit të saj dhe kjo e drejtë nuk gjykohet”, përfundon deklarata.