Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, i është kundërpërgjigjur ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, pasi ai deklaroi se dënimi i ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale dëshmon se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte “organizatë kriminale”.
Kandiq tha se politika e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), së cilës i përket Daçiq, ka rezultuar me varreza masive të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
“SPS = varreza masive në Serbi. Për t’ia kujtuar ministrit Daçiq se politika e Partisë së tij Socialiste të Serbisë ka rezultuar në varreza masive me shqiptarë të vrarë në Batajnicë, Petrovo Sello, Rudnicë, Kizhevak dhe në Liqenin e Peruçacit. Ky është një fakt i vërtetuar”, ka deklaruar Kandiq.
Ajo ka reaguar edhe ndaj mënyrës se si Daçiq e ka interpretuar vendimin e Gjykatës Speciale, duke bërë dallim mes akuzave për krime kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës.
“Janë ngritur akuza për krime kundër njerëzimit. Liderët e UÇK-së janë dënuar për krime lufte. Objektivi i sulmeve dhe masave ndëshkuese nuk ishte popullata civile, por kundërshtarët u shënjestruan bazuar në rrethanat individuale dhe jo në përkatësinë e tyre ndaj popullatës civile”, ka thënë Kandiq.
Sipas saj, në dallim nga rasti i ish-krerëve të UÇK-së, katër zyrtarë të lartë serbë të dënuar nga Tribunali i Hagës – Nebojsha Pavkoviq, Vladimir Lazareviq, Sreten Lukiq dhe Dragoljub Ojdaniq – u dënuan për krime kundër njerëzimit.
“Popullata civile ishte objektivi”, ka theksuar Kandiq.
Reagimi i saj erdhi pasi Gjykata Speciale në Hagë të martën shpalli dënimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. /Telegrafi/






