Ed Sheeran ka humbur më shumë se 200 mijë ndjekës në Instagram brenda 24 orëve, pasi fansat e kritikuan për largimin e reperit Macklemore nga turneu i tij në SHBA.
Të gjithë artistët e tjerë që shërbenin si pjesë e programit mbështetës të turneut janë tërhequr, pas largimit të Macklemore nga datat e mbetura të koncerteve, pas një fjalimi të tij në mbështetje të Palestinës.
Macklemore ishte planifikuar të performonte si artist hapës në tetë nga dhjetë koncertet e fundit të Sheeran në SHBA. Turneu vazhdon të premten në Filadelfia, por të martën u njoftua se Macklemore nuk do të ishte më pjesë e tij.

Mes artistëve që janë tërhequr është edhe Finneas, vëllai i yllit të muzikës pop Billie Eilish, i cili deklaroi: “Artistët nuk duhet të heshtin kur flasin në mbështetje të njerëzve të shtypur.”
Miku i ngushtë i Sheeran, Myles Smith, këngëtari dhe kompozitori irlandez Aaron Rowe, grupi danez i muzikës pop Lukas Graham, si dhe grupi irlandez i muzikës folk Beoga, i cili ka shërbyer si grupi shoqërues i Sheeran gjatë turneut, kanë publikuar gjithashtu deklarata të veçanta ku njoftojnë se nuk do të vazhdojnë të marrin pjesë në datat e mbetura të Loop Tour.
Në reagimin e tij të parë pas kritikave, Sheeran, 35 vjeç, këmbënguli se largimi i Macklemore nga turneu ishte “vendim i promotorit” dhe jo i tij. Ai shtoi se një pjesë e madhe e audiencës së tij përbëhet nga të rinj “me prejardhje të ndryshme”, të cilët nuk presin që koncertet e tij të shndërrohen në një forum politik.
Numri i ndjekësve të Sheeran në Instagram ishte 47.6 milionë të hënën, ndërsa tani ka rënë në 47.3 milionë.
Macklemore, emri i vërtetë i të cilit është Benjamin Hammond Haggerty, u përball me një peticion për bojkot dhe largim nga turneu pasi mbajti një fjalim me përmbajtje politike në mbështetje të palestinezëve në Gaza dhe Bregun Perëndimor, gjatë performancave të tij në MetLife Stadium në New Jersey më 4 dhe 5 shtator.
Pas konfirmimit se nuk do të ishte më pjesë e Loop Tour, reperi reagoi përmes një deklarate në Instagram, duke pretenduar se Ed Sheeran i kishte thënë se miliarderi Robert Kraft kishte organizuar largimin e tij, pasi kishte “mobilizuar pronarë të tjerë stadiumesh dhe i kishte vendosur Sheeran-it një ultimatum”: ose anulohej i gjithë turneu, ose Macklemore largohej nga ai.
Kraft është drejtori ekzekutiv i Kraft Group, kompani që zotëron ekipin e NFL-së, New England Patriots, si dhe Gillette Stadium në Massachusetts, ku Sheeran pritet të performojë më 25 dhe 26 shtator.





