Të paktën 12 persona kanë humbur jetën, përfshirë katër fëmijë, pasi një ndërtesë shumëkatëshe në Gaza City, ku ishin strehuar familje palestineze të zhvendosura, u shemb të mërkurën.
Sipas spitalit Shifa, 15 persona të tjerë janë plagosur, ndërsa dhjetëra njerëz besohet se kanë mbetur të bllokuar ose të zhdukur nën rrënoja.
Ndërtesa strehonte rreth gjashtë familje të zhvendosura dhe ishte dëmtuar rëndë gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Sipas raportimeve, për gjendjen e saj të rrezikshme kishte pasur paralajmërime më herët.
Ekipet e Mbrojtjes Civile kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për kërkimin e personave të bllokuar. Pamjet nga zona tregojnë punonjësit e emergjencave duke inspektuar rrënojat dhe duke përdorur buldozerë për të larguar masat e betonit.
Struktura ishte dëmtuar pjesërisht nga një sulm izraelit në një fazë të mëparshme të luftës. Ende nuk është bërë e qartë se çfarë e shkaktoi shembjen e saj të mërkurën.
Rasti vjen në një situatë ku pjesa dërrmuese e ndërtesave në Gaza është dëmtuar ose shkatërruar gjatë konfliktit. Dhjetëra struktura shumëkatëshe janë shembur gjatë luftës, veçanërisht gjatë periudhave të motit të keq dhe reshjeve.
Shembjet e ndërtesave janë kthyer në një tjetër rrezik serioz për popullsinë civile, transmeton Telegrafi.
Shumë familje të zhvendosura, të cilat fillimisht ishin strehuar në kampe me tenda, janë detyruar të kthehen në banesat e tyre të dëmtuara nga bombardimet, pavarësisht rrezikut të shembjes.
Ndërkohë, tensionet në rajon kanë vazhduar edhe jashtë Gazës.
Arabia Saudite njoftoi të martën në mbrëmje se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kishin interceptuar një dron që, sipas autoriteteve saudite, ishte drejtuar drejt Mekës, qytetit më të shenjtë të Islamit.
Rijadi prej javësh po përballet me sulme nga rebelët Houthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani.
Incidenti pranë Mekës shton shqetësimet për zgjerimin e konfliktit në rajon, ndërsa përplasjet dhe sulmet po shtrihen përtej frontit të drejtpërdrejtë Izrael–Hamas.






