Një skandal i rëndë ka tronditur futbollin profesionist në Bolivi, pasi portieri i Guabiras, Juan Manuel Perel, raportohet se ka marrë kërcënime me vdekje para ndeshjes ndaj Always Ready.
Sipas Associated Press, trajneri i Guabiras, Leonardo Eguez, ka deklaruar se portieri dhe familjarët e tij janë kërcënuar nga persona që i kanë kërkuar një shumë parash ose që Perel të pranonte tre gola gjatë ndeshjes, në të kundërtën familja e tij do të vritej.
“Jeta e portierit tonë, si dhe jeta e gruas dhe nënës së tij, u kërcënua. Atij iu tha se nëse nuk paguante shumën e kërkuar nga shantazhuesit ose nuk pësonte tre gola në ndeshje, familja e tij do të vritej”, deklaroi Eguez.

Kërcënimet dyshohet se kanë ndodhur para përballjes së fundjavës mes Guabirás dhe Always Ready, e zhvilluar në stadiumin e skuadrës vendase në El Alto.
Ndeshja përfundoi me një rezultat të thellë 6-0 në favor të Always Ready, duke shtuar edhe më shumë pikëpyetjet rreth pretendimeve të bëra nga trajneri i Guabiras.
“Është e pamundur të përgatitesh seriozisht për një ndeshje kur merr kërcënime me vdekje. Diçka e dyshimtë po ndodh dhe nevojitet një hetim”, u shpreh Eguez.
Klubi i Guabiras ende nuk ka publikuar një deklaratë zyrtare për rastin, ndërsa Shoqata e Futbollistëve Profesionistë të Bolivisë ka kërkuar nisjen e menjëhershme të një hetimi.
“Ne nuk mund të lejojmë që ajo që u ka ndodhur lojtarëve të Guabiras të kalojë pa u hetuar. Duhet të vendoset një precedent i qartë për futbollin bolivian”, thuhet në reagimin e sindikatës.
Edhe Always Ready, skuadra që triumfoi 6-0 në këtë ndeshje, ka kërkuar që pretendimet të hetohen dhe të sqarohet plotësisht se çfarë ka ndodhur./Telegrafi/





