Nëse në mbrëmje ke vendosur të qëndrosh para ekranit, atëherë nuk është se e ke të vështirë të vendosesh se cilin kanal ta shikosh. Kjo thjesht për faktin se tabloja është pothuajse e njëjtë në çdo kanal: një tryezë e rrumbullakët, disa mikrofona të ndezur dhe të shumtën e herëve të njëjtët persona që flasin me “kompetencë” për çdo temë. Nga ndodhitë lokale e deri te diplomacia ndërkombëtare, ata kanë një opinion për gjithçka.
Ajo që sot u shitet qytetarëve si “analizë politike”, në të vërtetë është shndërruar në një nga burimet kryesore të kontaminimit, mjegullimit dhe polarizimit të shoqërisë në Kosovë.
Në vendet me demokraci të zhvilluar dhe në mediat që ruajnë integritetin e hapësirës publike, vendi kryesor në studio u rezervohet njerëzve me kompetencë të plotë profesionale e akademike, profesorëve universitarë, hulumtuesve shkencorë, ish-diplomatëve të karrierës dhe ekspertëve që kanë etabluar profilin e tyre përmes punës e studimeve të mirëfillta. Te ne, ky standard është përmbysur plotësisht. Dhe, kjo përmbysje ndodh për shumë arsye:
– Riciklimi i figurave të njëjta: Është krijuar një rreth i mbyllur ku persona të njëjtë kalojnë nga një studio në tjetrën, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Ky riciklim i përditshëm ua mbyll derën zërave të rinj dhe ekspertëve që mund te kenë një opinion kredibil, por refuzojnë të bëhen pjesë e këtij teatri.
– Mungesa e metodologjisë dhe profesionalizmit: Analiza e mirëfilltë kërkon përdorimin e metodave shkencore, deduksionin logjik, studimin e të dhënave dhe paanshmërinë. Shumica e analistëve të sotëm nuk kanë as arsimimin e duhur dhe as përvojën për të bërë një punë të tillë. Në vend të kësaj, dëgjojmë supozime, thashetheme, mllef personal dhe hamendjesime joserioze.
– Kërkimi i klikimeve: Shumë redaksi janë plotësisht të vetëdijshme për dëmin që po i shkaktojnë shoqërisë. Megjithatë, të udhëhequra nga etja për sensacion, audiencë të çastit dhe klikime, ato e kanë zbritur diskursin politik në një nivel edhe më të ulët se muhabetet e kafeneve. Nuk kanë munguar as rastet kur studiot televizive janë shndërruar në arenë boksi.
– Mungesa e debateve serioze për gjeopolitikën: Kur vjen puna te zhvillimet globale, qoftë lufta në Ukrainë, konfliktet në Lindjen e Mesme (Izrael e Iran), ngjarjet në Amerikën Latine (si Venezuela), zgjedhjet e mesmandateve apo dinamikat e brendshme në ShBA, këto studio nuk organizojnë asnjëherë debate të mirëfillta. Në vend që të ftohen njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare, këto tema komplekse u lihen në dorë personave të njëjtë të cilët brenda natës “shndërrohen” në ekspertë të gjeopolitikës botërore.
– Pasurimi përmes shpifjes dhe lidhjeve me pushtetin: Analiza politike për disa është shndërruar në biznesin më fitimprurës. Përmes shfrytëzimit të hapësirës mediale, shpifjeve të orkestruara dhe lidhjeve të ngushta që krijojnë me pushtetet apo grupet e interesit, disa nga këta “analistë” janë pasuruar. E gjithë kjo pasuri është ndërtuar mbi tregtimin e ndikimit dhe shitjen e opinioneve të porositura.
– Gjuha e përdorur dhe agjendat e dyshimta: Një pjesë e këtyre figurave operojnë sipas udhëzimeve të marra nga mediat që i paguajnë apo nga klanet politike. Në jo pak raste, gjuha e përdorur në studio kalon çdo kufi. Për më tepër, përvoja ka treguar se në studio kanë depërtuar edhe individë të cilët më vonë është vërtetuar se kanë qenë agjentë të shërbimeve të huaja apo zbatues të agjenda me ndikim destruktiv.
Në vend që t’i ndihmojnë publikut të kuptojë rrjedhat e brendshme politike apo situatat e ndërlikuara gjeopolitike, këto emisione arrijnë shpeshherë të kundërtën: krijojnë mjegull, frikë dhe përçarje. Dëmi më i madh nuk është thjesht rënia e nivelit të gazetarisë, por nxitja e përplasjeve në shoqëri dhe degradimi i diskursit publik.






