Barcelona zbulon se kur do të përfundojë plotësisht procesi i rinovimit të ‘Camp Nou’

Sport

Barcelona beson se ‘Spotify Camp Nou’ do të jetë plotësisht i rinovuar dhe në gjendje optimale për të pritur finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2029. Joan Sentelles, drejtori i projektit Espai Barça, ka shprehur bindjen se stadiumi do të jetë gati për një nga ngjarjet më të mëdha të futbollit evropian, duke theksuar […]

Madhësia e shkronjave

Barcelona beson se ‘Spotify Camp Nou’ do të jetë plotësisht i rinovuar dhe në gjendje optimale për të pritur finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2029.

Joan Sentelles, drejtori i projektit Espai Barça, ka shprehur bindjen se stadiumi do të jetë gati për një nga ngjarjet më të mëdha të futbollit evropian, duke theksuar se synimi është që punimet të përfundojnë përpara afatit.

“Të presësh një finale të Ligës së Kampionëve është një sfidë e madhe dhe ne do ta kemi stadiumin në gjendje perfekte për të pritur finalen e vitit 2029”, ka thënë Sentelles.

Ai ka bërë të ditur se synimi është që stadiumi të jetë me kapacitet të plotë, me çatinë e përfunduar dhe ekranet e instaluara, në mënyrë që gjithçka të jetë gati për një event të përmasave të tilla.

“Sigurisht që do të përfundojë me kapacitet 100 për qind, çatia do të jetë gati, ekranet do të jenë të instaluara… gjithçka do të jetë gati. Ideja është që Limak, me punën e mirë që po bën, ta përfundojë shumë përpara dhe stadiumi të jetë funksional të paktën gjatë sezonit paraprak”, ka deklaruar ai.

Sentelles ka treguar gjithashtu se Barcelona është në komunikim të vazhdueshëm me UEFA-n për fazat e ndryshme të punimeve dhe objektivat e projektit.

“UEFA është shumë kërkuese dhe ne u kemi shpjeguar fazat e ndryshme të punimeve dhe objektivat që kemi. Meqë finalja është në vitin 2029, ka një hapësirë të madhe për gabime, por ideja është që gjithçka të jetë plotësisht funksionale gjatë sezonit 2028/29. Nëse kemi fat, mund të kemi edhe një pjesë të vitit 2027 me kapacitet të plotë”, ka shtuar Sentelles.

Sipas tij, UEFA nuk i ka vendosur Barcelonës një afat specifik për përfundimin e stadiumit, por kërkesat për organizimin e finales janë të shumta. Edhe qyteti i Barcelonës duhet të përmbushë disa kritere, përfshirë një numër të caktuar hotelesh brenda një distance të përcaktuar.

“Janë kërkues, por qyteti i Barcelonës i përmbush në mënyrë perfekte këto kërkesa dhe ne do të kemi gjithashtu një stadium që i plotëson kriteret”, ka deklaruar ai.

Sentelles ka theksuar se kërkesat e UEFA-s nuk do të sjellin ndryshime shtesë në projekt dhe as kosto të reja për Barcelonën./Telegrafi/