Një operacion i gjerë policor është duke u zhvilluar në Gjermani, pasi mbetje të një droni janë gjetur në një zonë të pabanuar në lindje të liqenit Steinhude, pranë Hanoverit.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, dhjetëra pjesëtarë të forcave të rendit janë angazhuar në kërkimet për të gjetur pjesë të tjera të mjetit fluturues.
Zyra Shtetërore e Policisë Kriminale, LKA, konfirmoi se droni ka rënë në një zonë të hapur dhe të pabanuar. Ajo që e bën incidentin veçanërisht të ndjeshëm është vendndodhja e tij: zona ku u gjetën mbetjet ndodhet vetëm rreth një kilometër nga baza ajrore e Bundeswehr-it në Wunstorf.
Edhe forcat e armatosura gjermane e kanë konfirmuar për Bild afërsinë e vendit të incidentit me bazën ushtarake, transmeton Telegrafi.
Për shkak të sipërfaqes së madhe të zonës ku mund të jenë shpërndarë mbetjet, një numër i madh i policëve dhe ekipeve të emergjencës po kryejnë kërkime në terren.
Hetuesit janë informuar për gjetjen që më 14 shtator, ndërsa LKA ka bërë të ditur se deri tani nuk ka shenja për ndonjë rrezik për publikun.
Megjithatë, operacioni i kërkimit do të vazhdojë, pasi autoritetet synojnë të gjejnë dhe të analizojnë pjesë të tjera të dronit.
Një nga pyetjet kryesore të hetimit mbetet kush e zotëronte dronin dhe nga kishte ardhur ai.
Deri tani nuk është bërë e ditur nëse mjeti ishte civil, ushtarak apo i lidhur me ndonjë aktor shtetëror. Autoritetet gjermane pritet të nxjerrin më shumë përfundime vetëm pasi të rikuperohen dhe analizohen pjesët e tjera të tij.
Në rajon ndodhet edhe aeroporti ushtarak i Wunstorfit, në Saksoninë e Ulët, duke e bërë vendndodhjen e incidentit veçanërisht të ndjeshme nga pikëpamja e sigurisë.
Gjetja e dronit vjen në një kohë kur Gjermania ka rritur shqetësimet për kërcënimet hibride dhe aktivitetet e dyshuara të lidhura me Rusinë.
Më 1 shtator, autoritetet gjermane e akuzuan drejtpërdrejt Rusinë për një sulm hibrid në aeroportin e Leipzigut, i cili kishte ndodhur në fillim të gushtit, dhe njoftuan kundërmasa.
Megjithatë, në rastin e dronit pranë Wunstorfit, autoritetet ende nuk kanë përcaktuar origjinën apo pronësinë e mjetit. Hetimi dhe analizat teknike të mbetjeve pritet të japin më shumë informacion për rrethanat e incidentit. /Telegrafi/






