Dymbëdhjetë vende evropiane i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian të rrisë praninë e tij në Arktik dhe të luajë një rol më strategjik në një rajon që po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një pikë të nxehtë të përplasjes gjeopolitike.
Në një deklaratë të përbashkët pas Samitit Evropian për Arktikun, të zhvilluar në Rovaniemi të Finlandës, vendet kërkuan që BE-ja të marrë një rol “më strategjik dhe proaktiv në Arktikun evropian”, në një kohë kur Rusia po shton aktivitetin ushtarak dhe Kina po zgjeron interesin e saj në këtë zonë.
Në samit morën pjesë, mes të tjerëve, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot, transmeton Telegrafi.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, tha se Bashkimi Evropian duhet të qëndrojë “vigjilent” përballë rritjes së aktivitetit ushtarak të Rusisë në Arktik, por edhe interesit në rritje të Kinës për rajonin.
Kallas bëri të ditur se BE-ja do të prezantojë në tetor një strategji të re për Arktikun, në të cilën siguria do të jetë në qendër.
“Është e qartë se kjo është pjesë e arkitekturës së sigurisë së Evropës”, deklaroi Kallas.
Arktiku ka një rëndësi të veçantë strategjike, pasi shërben si një korridor që lidh Amerikën e Veriut me Evropën, duke përfshirë rrugë të rëndësishme transporti, komunikimi dhe tregtie.
Por ndryshimet klimatike dhe pasuritë natyrore të rajonit, së bashku me pozicionin e tij gjeografik, e kanë kthyer atë në një terren gjithnjë e më të rëndësishëm për konkurrencën strategjike mes fuqive të mëdha.
Sipas NATO-s, Moska ka rritur “ndjeshëm” aktivitetin e saj ushtarak në Arktik, duke krijuar një Komandë të re Arktike, hapur objekte ushtarake dhe testuar sisteme të reja armësh.
Edhe Kina ka interesa të rëndësishme në rajon, veçanërisht për shkak të qasjes në minerale kritike, burime energjetike dhe linja të reja komunikimi.
Kjo situatë ka shtyrë vendet evropiane të kërkojnë një angazhim më të madh të BE-së në një zonë që tradicionalisht ka qenë e dominuar nga interesat strategjike të fuqive të mëdha.
Samiti në Rovaniemi u zhvillua në një kohë kur Grenlanda është bërë një tjetër pikë e rëndësishme e debatit për sigurinë në Arktik.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi Grenlandën në fillim të këtij muaji, ndërsa BE-ja ka sinjalizuar mbështetje të vazhdueshme për ishullin autonom danez, pas deklaratave të përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump për marrjen nën kontroll të tij.
Brukseli ka tentuar t’i përgjigjet kësaj qasjeje duke premtuar rritje të investimeve në Groenlandë. Gjatë vizitës së saj, von der Leyen njoftoi një partneritet prej 200 milionë eurosh me territorin autonom danez, fonde që pritet të investohen gjatë këtij dhe vitit të ardhshëm.
Trump ka argumentuar vazhdimisht se SHBA-ja duhet të marrë kontrollin e Groenlandës për arsye të “sigurisë kombëtare”, duke paralajmëruar se në të kundërt Rusia ose Kina mund ta marrin nën kontroll ishullin.
Qasja e presidentit amerikan ka shkaktuar kundërshtime në Evropë dhe ka nxitur diskutime të reja mbi sigurinë e Arktikut dhe rolin e Evropës në këtë hapësirë strategjike.
Rëndësia e Grenlandës për sigurinë amerikane nuk është e re. Në kulmin e Luftës së Ftohtë, SHBA-ja raportohet se kishte 17 objekte ushtarake dhe më shumë se 10 mijë trupa në ishull.
Sot, SHBA-ja operon vetëm një bazë, Pituffik Space Base, e cila është instalimi më verior i Departamentit amerikan të Mbrojtjes.
Baza përdoret për paralajmërim dhe mbrojtje kundër raketave, si dhe për misione të mbikëqyrjes hapësinore, duke e bërë Grenlandën një pikë kyçe në arkitekturën e sigurisë së Amerikës së Veriut dhe Evropës. /Telegrafi/






