Marshi për Liri bashkoi dhjetëra mijëra qytetarë në Prishtinë, ndërsa pjesëmarrja politike ishte e ndryshme. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ishte pjesëmarrës, ndërsa pjesë e marshit u bën zyrtarë të partisë së tij dhe përfaqësues të Qeverisë në detyrë. As kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku nuk mori pjesë, por zyrtarë të kësaj partie po. Më të shumtë në numër ishin zyrtarë të PDK-së dhe Aleancës.
Partia e tij e mbështeti “Marshin për Liri” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mirëpo, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, megjithatë vet, nuk u bë pjesë e dhjetëra mijëra shqiptarëve që kërkuan drejtësi.
Ai jo, por përfaqësues të Qeverisë në detyrë dhe partisë së Kurtit u panë në marsh.

Ministri në detyrë për Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, u shpreh i bindur se 4-shja e UÇK-së do të kthehet e lirë në Kosovë.
“Kjo gjykatë është politike dhe do të përfundojë, katër çlirimtaret do të kthehen të lirë në Kosovë, ashtu shpresojmë dhe besojmë”, tha Hoti.
Hoti pati edhe arsyetim për mospjesëmarrjen e shefit të tij.
“Kjo protestë nuk është e LVV-së, nuk është e asnjë partie politike, po shoh shumë qytetarë këtu, edhe të partive politike, nuk ka rëndësi”.
I ftuar zyrtarisht po, por pjesë e marshit nuk ishte as kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Por në ditën e sotme konsideroi se duhej marshuar pa dallime politike, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
“Sot duhet të manifestojmë pa dallime politike, ashtu sic ka qenë UCK, ka qenë një qëllim për liri dhe demokraci në këtë vend”.
Ndërkohë për Partinë Demokratike të Kosovës, ky marsh shënon një nga datat më të rëndësishme për shtetin.
“Ne presim që ky epilog, kjo dramë e rëndë për 6 vite të mbajtjes në paraburgim, me datën 16 ta rikthejë fitoren për Kosovën, dhe popoulli shqiptar ta përmbyllë njrën prej betejave më të rënda që e ka pas ndonjëherë, e shoh si një prej dative më të rëndësishme pas shpalljes së Pavarësisë”.
Në anën tjetër, zyrtarë të Aleancës iu bashkuan marshit në krye me kryetarin Ardian Gjini.Aty ishte edhe themeluesi i kësaj partie, Ramush Haradinaj, i shoqëruar me anëtarë të tjerë të Aleancës.
Teksa vetë deputetja, Time Kadrijaj, e konsideroi të pakuptimtë mbajtjen në burg të çlirimtarëve.
“Kjo padrejtësi ti ndodhë Kosovës është non sens, një Gjtykatë e tillë është dashtë të formohet në Serbi për shkak të dhunimeve, masakrave, vrasjeve të fëmijëvë dhe pleqeve, dhe jo në Kosovë”.
Të shtunën, në marshin për liri, kishte të pranishëm edhe anëtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë deputetët Shqipe Selimi dhe Adnan Rrustemi, kurse nga qeveria në detyrë mes të tjerëve ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqdonci./Tv Dukagjini/





