Real Madridi ka nisur të planifikojë afatin kalimtar të janarit, me gjigantin spanjoll që po shqyrton mundësinë e transferimit të mesfushorit të Arsenalit, Martin Zubimendi.
“Los Blancos” e nisën sezonin 2026/27 nën drejtimin e Jose Mourinhos, pasi bënë disa ndryshime në skuadër gjatë verës. Madridi u përforcua me Marc Cucurellan, Ibrahima Konaten dhe Bernardo Silvan, ndërsa një prej objektivave kryesorë ishte edhe Rodri.
Mourinho kërkonte një mesfushor që do t’i jepte skuadrës më shumë kontroll në mesfushë, por Real Madridi nuk arriti ta finalizonte transferimin e yllit të Manchester Cityt.
Rodri përfundimisht iu bashkua Barcelonës për 76.5 milionë euro, duke e lënë Mourinhon të mbështetet te Aurelien Tchouameni, Federico Valverde dhe Eduardo Camavinga në qendër të mesfushës.
Tani, sipas Sport, Real Madridi po e shqyrton mundësinë që në janar të rikthehet për Zubimendin, të cilin klubi e kishte konsideruar edhe gjatë afatit kalimtar të verës.
27-vjeçari ka humbur vendin në formacionin titullar të Mikel Artetës në fillim të këtij sezoni. Zubimendi ka nisur nga banka rezervë në të pesë ndeshjet e Arsenalit në të gjitha garat deri më tani.
Ai ishte gjithashtu në mesin e zëvendësuesve në ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Napolit, duke u aktivizuar vetëm për tetë minuta.
Roli i Zubimendit ishte zvogëluar edhe në fund të sezonit të kaluar. Mesfushori spanjoll e nisi nga banka edhe finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Paris Saint-Germainit, përpara se të futej në lojë gjatë vazhdimeve.
Megjithatë, Real Madridi vazhdon ta vlerësojë lart Zubimendin, veçanërisht për paraqitjet e tij me Kombëtaren e Spanjës.
Madrilenët e kishin shqyrtuar transferimin e tij edhe gjatë verës, por në fund vendosën të mos e finalizonin marrëveshjen.
Arsenali pagoi 70 milionë euro për ta transferuar Zubimendin dhe i ofroi atij kontratë deri në vitin 2030. Sipas Sport, vlera e tij aktuale në treg mbetet rreth të njëjtës shifër./Telegrafi/






