“Ndalojeni AfD-në tani”: Protesta mbarëkombëtare në Gjermani pas fitores së thellë zgjedhore të së djathtës ekstreme

Bota

Dhjetëra mijëra protestues morën pjesë në demonstrata anembanë Gjermanisë të shtunën kundër partisë së ekstremit të djathtë AfD, pasi kjo parti shënoi një fitore dërrmuese në zgjedhjet rajonale javën e kaluar. Partia “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) doli e para në votime në rajonin lindor të Saksonisë-Anhalt dhe tani po përpiqet të formojë qeverinë e parë […]

Madhësia e shkronjave

Dhjetëra mijëra protestues morën pjesë në demonstrata anembanë Gjermanisë të shtunën kundër partisë së ekstremit të djathtë AfD, pasi kjo parti shënoi një fitore dërrmuese në zgjedhjet rajonale javën e kaluar.

Partia “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) doli e para në votime në rajonin lindor të Saksonisë-Anhalt dhe tani po përpiqet të formojë qeverinë e parë rajonale të ekstremit të djathtë në Gjermani që nga Lufta e Dytë Botërore.

Rreth 150,000 demonstrues dolën në rrugë në rreth 20 qytete të vendit, përfshirë Berlinin, Hamburgun dhe Mynihun, në protesta të organizuara nga grupi “Pruef” – i cili avokon për ndalimin e AfD-së – sipas vetë organizatorëve, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ata mbanin pankarta me slogane si “Ndalojeni AfD-ja tani” dhe “Demokracia nuk ka nevojë për alternativa”.

“Një pjesë e gjerë e shoqërisë civile po del në rrugë për të penguar armiqtë e kushtetutës, pra AfD-në në Saksoni-Anhalt, që të marrin pushtetin qeverisës”, tha Christoph Bautz, kreu i grupit të fushatës “Campact”, i cili gjithashtu mori pjesë në demonstrata.

Ngritja e AfD-së ka shqetësuar shumë njerëz që mendojnë se Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë për të shlyer të kaluarën e saj naziste, dhe janë shtuar thirrjet që partitë kryesore politike të kërkojnë ndalimin e këtij grupi.

Megjithatë, pengesat për një ndalim zyrtar janë të mëdha në Gjermani dhe Friedrich Merz, nga partia e qendrës së djathtë CDU, mbetet skeptik për ndjekjen e një qasjeje të tillë.

Në Berlin, policia njoftoi se disa mijëra protestues morën pjesë në demonstrata të ndryshme.

AfD-ja organizoi një kundër-demonstratë në kryeqytet, ku mori pjesë Kristin Brinker, kandidatja kryesore e partisë për zgjedhjet rajonale që do të mbahen në Berlin fundjavën e ardhshme.

“Campact” raportoi se në Hamburg kishte rreth 25,000 demonstrues, ndërsa në Mynih 12,000.

Partia kundër imigracionit mori gati 44 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës së kaluar në Saksoni-Anhalt, krahasuar me 17 për qind që mori CDU-ja.

Asaj i munguan vetëm tri mandate për të siguruar shumicën absolute dhe tashmë ka nisur bisedimet me grupe të tjera e deputetë, në përpjekje për të formuar qeverinë rajonale. /Telegrafi/