Vuçiq vazhdon propagandën për Thaçin: Në Paris mora “sinjale të ndryshme” për vendimin ndaj tij

Nacionale

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ndryshuar qëndrimin e tij lidhur me aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës dhe ish-udhëheqësit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, duke thënë se së fundmi ka marrë informacione që sugjerojnë se ai mund të dënohet rëndë nga Gjykata Speciale në Hagë, por që vet ai nuk e […]

Madhësia e shkronjave

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ndryshuar qëndrimin e tij lidhur me aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës dhe ish-udhëheqësit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, duke thënë se së fundmi ka marrë informacione që sugjerojnë se ai mund të dënohet rëndë nga Gjykata Speciale në Hagë, por që vet ai nuk e beson.

Vuçiq, i cili rreth dy javë më parë kishte deklaruar se aktgjykimi ndaj Thaçit pritej të ishte kryesisht lirues, tani ka thënë se gjatë vizitës së tij të fundit në Paris ka marrë “sinjale të ndryshme” nga disa liderë evropianë dhe botërorë.

Duke folur për procesin gjyqësor ndaj Thaçit, Vuçiq tha se nuk e di se cili do të jetë vendimi përfundimtar.

“Para 15 ditësh mora informacion se ai do të dënohej me një masë që mbulon kohën e paraburgimit, këtë e mora nga shërbimet tona inteligjente. Tani, kur isha në Paris dhe bisedoja me disa liderë evropianë e botërorë, mora disa sinjale të ndryshme. Pas katër ditësh do të shohim se kush ka të drejtë”, ka deklaruar Vuçiq.

Ai përshkroi protestat e së shtunës në mbështetje të anëtarëve të UÇK-së si një “rapsodi e nacionalizmit dhe urrejtjes ndaj serbëve” në Tiranë, Shkup dhe Prishtinë.

Më herët, presidenti serb kishte pretenduar se një dënim eventual ndaj Thaçit do të mund të mbulohej nga koha që ai ka kaluar në paraburgim, ndërsa pjesa kryesore e akuzave, veçanërisht ato që lidhen me viktimat serbe, sipas tij, do të përfundonte me vendim lirues.

“Duhet të ketë diçka dënuese, por jo për shkak të viktimave serbe, por do të ketë një dënim vetëm sa për të mbuluar kohën e paraburgimit. Por për krimet më të rënda kundër serbëve, Hashim Thaçi do të shpallet i pafajshëm dhe i papërgjegjshëm për këtë”, kishte deklaruar ai.

Presidenti serb kishte pretenduar gjithashtu se një vendim i tillë do të përdorej nga Perëndimi për të përcjellë, sipas tij, një mesazh se serbët janë përgjegjësit kryesorë për krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

“Na presin ditë jo të lehta politike. Të gjithë ata që morën pjesë në krime kundër serbëve në territorin e ish-Jugosllavisë gjithmonë liroheshin ose gjoja dënoheshin, ndërsa më pas në vendimet e shkallës së dytë merreshin vendime të tjera dhe këta njerëz liroheshin”, kishte thënë Vuçiq./Telegrafi/