Ousmane Dembele ka kujtuar finalen e Ligës së Kampionëve mes Paris Saint-Germainit dhe Arsenalit, duke zbuluar momentin që sipas tij i dha avantazhin vendimtar skuadrës franceze.
PSG-ja arriti të triumfojë në një finale të vështirë ndaj kampionit të Ligës Premier, me Dembele që e veçoi një moment të veçantë nga ndeshja.
“Ishte një finale e vështirë. E dinim se Arsenali ishte një skuadër e madhe, pasi e përfundoi fazën e ligës në vendin e parë:.
“E dimë se në vitet e fundit ata kanë qenë shumë të vështirë për t’u përballur, kështu që e dinim se do të ishte një ndeshje e vështirë, sidomos pasi pësuam gol ndaj tyre dhe duhej të riktheheshim.”
Dembele vlerësoi gjithashtu organizimin e Arsenalit, duke theksuar se skuadra e Mikel Artetës kishte ruajtur për vite me radhë pothuajse të njëjtin grup lojtarësh.
“Ata mbrohen shumë mirë. Kanë katër apo pesë vite që praktikisht kanë të njëjtin grup lojtarësh”.
“Momenti më i mirë ishte kur Gabriel, për fatin e keq të tij, e humbi penalltinë”.
Edhe bashkëlojtari i tij, Fabian Ruiz, pranoi se PSG-ja pati shumë vështirësi për ta kaluar një Arsenal që u organizua mirë pas golit të hershëm.
“Që nga ai moment, ata u tërhoqën, ndërsa ne u përpoqëm të sulmonim, por ishte e vështirë. E dimë se janë një skuadër e madhe, grupohen shumë mirë për të mbrojtur dhe kanë lojtarë agresivë”.
“Goli i Ousit nga pika e bardhë na dha pak më shumë qetësi.”
Mesfushori spanjoll u ndal gjithashtu te penalltia e humbur nga Gabriel dhe emocionet që pasuan.
“Pastaj, siç tha Ous, ishte momenti kur gjyqtari akordoi penalltinë e fundit dhe Gabrieli e humbi. Është për të ardhur keq, sepse në fund lojtarët që i humbin penalltitë janë ata që kanë guximin t’i ekzekutojnë”.
“Por kur mund të festosh fitimin e Ligës së Kampionëve, është një moment shumë i bukur që mbetet në kujtesën e të gjithëve”, përfundoi Ruiz./Telegrafi/






