Kylian Mbappe ka reaguar ndaj faktit se Paris Saint-Germaini ka fituar dy tituj të Ligës së Kampionëve që nga largimi i tij, ndërsa Real Madridi ende nuk ka arritur ta rikthejë trofeun e madh evropian në Santiago Bernabeu.
Sulmuesi francez u largua nga PSG-ja në verën e vitit 2024 për t’iu bashkuar Real Madridit, ndërsa klubi parisien ka përjetuar një periudhë historike pas largimit të tij, duke triumfuar dy herë radhazi në Ligën e Kampionëve.
Mbappe u pyet për këtë situatë gjatë intervistës së tij të fundit për L’Equipe, por francezi nuk e pa si diçka që duhet t’i atribuohet largimit të tij.
“E shoh si 2 + 2 = 4. Ata e fituan, këtë nuk mund t’ua marrim. Urime atyre”.
“Ata i ndërtuan fitoret e tyre. Ata kanë arritur ta fitojnë për të dytin vit radhazi dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme. Ata janë skuadra që duhet mposhtur”.
Mbappe pranoi se Real Madridi, së bashku me skuadrat e tjera pretendente, tashmë ka një objektiv të qartë për sezonin e ri: rrëzimin e kampionit në fuqi.
“Ne, Real Madridi dhe të gjithë të tjerët, hyjmë me idenë për ta rrëzuar skuadrën që e ka fituar dy herë radhazi”.
Mbappe dhe Real Madridi konsiderohen ndër favoritët kryesorë për ta ndalur dominimin e PSG-së në Evropë, por kampionët në fuqi mbeten një kundërshtar tejet i vështirë për çdo skuadër që synon trofeun më prestigjioz të futbollit evropian./Telegrafi/






