Bruno Fernandes zhvilloi një sezon rekord me Manchester Unitedin në Ligën Premier vitin e kaluar, duke regjistruar 21 asistime, më së shumti nga çdo lojtar në një sezon të vetëm në historinë e klubit në elitën angleze.
Edhe pse mund të dukej e qartë se Michael Carrick do ta dëshironte fituesin e çmimit ‘Lojtari i Vitit në Ligën Premier 2026’ në ‘Old Trafford’ edhe për sezonin e ardhshëm, kjo nuk i ndali raportimet e shumta që e lidhnin portugezin me një largim nga Manchesteri.
Galatasaray, Juventus dhe Milan besohej se ishin të interesuar për transferimin e Fernandesit, duke e konsideruar atë një pjesë kyçe për ambiciet e tyre për të fituar trofe.
Teksa këto klube po përgatiteshin të bënin oferta për kapitenin e Manchester Unitedit, klubi anglez tashmë e ka bërë të qartë qëndrimin e tij për të ardhmen e 31-vjeçarit.
Sipas BBC, Manchester United nuk është i gatshëm ta shesë Fernandesin për asnjë çmim gjatë kësaj vere.
Në raportim sugjerohet se klubi ka marrë këtë qëndrim për shkak të mënyrës se si veproi verën e kaluar lidhur me të ardhmen e Fernandesit. Në atë kohë, besohej se United ia kishte lënë portugezit vendimin nëse do ta pranonte apo jo ofertën marramendëse të klubit saudit Al Hilal.
Ky veprim thuhet se e kishte “lënduar” 31-vjeçarin, ndaj United po sigurohet që të mos bëjë të njëjtin gabim sërish sa i përket kapitenit të tij.
Në momentin e raportimit, Fernandes ka edhe një vit të mbetur në kontratën aktuale, me mundësi zgjatjeje edhe për një sezon. Besohet se ai dëshiron të qëndrojë në ‘Old Trafford’, megjithatë deri tani nuk është arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës.
Arsyeja e këtij qëndrimi të prerë të Manchester Unitedit për të mos e shitur bëhet edhe më e qartë nga raportimet e The Telegraph, sipas të cilave Galatasaray po përgatit një ofertë të madhe për ta bindur Fernandesin të transferohet në Turqi./Telegrafi/






