Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka zhvilluar sot një takim konsultativ me liderët e partive politike dhe përfaqësues të komuniteteve jo shumicë, ku është diskutuar çështja e zgjedhjes së Presidentit të vendit.
Pas takimit, Haxhiu tha para mediave se qëllimi i konsultimeve ishte që partitë politike të kontribuojnë në gjetjen e një marrëveshjeje dhe të shmanget mundësia e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.
“Pas gjithë këtyre muajve s’kemi pse të hamendësojmë se çka sjell pjesa e marrëveshjes. Sot kam dëgjuar subjektet politike dhe të gjithë ata që ishin të pranishëm thanë se duhet të kontribuojnë në zgjedhjen e një marrëveshjeje dhe t’u ikim zgjedhjeve të parakohshme. Shpresoj shumë që partitë politike të arrijnë marrëveshje”, deklaroi Haxhiu.

Ajo tha se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë takimit ka theksuar se i ka votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, ndërsa çështja më e ndjeshme mbetet zgjedhja e Presidentit.
“Kurti theksoi që i ka votat për kryetarin e Kuvendit dhe të Qeverisë, por çështja është te Presidenca. Mund të jetë çështja e tretë, pasi është Kuvendi, Qeveria, por është çështja me prioritet”, tha Haxhiu.
Sipas saj, Kurti ka bërë të ditur se LVV-ja nuk dëshiron që Presidenti i ardhshëm të jetë nga radhët e saj, por është e hapur për një figurë konsensuale.
“Kurti e përmendi që nuk duan që Presidenti të jetë nga radhët e LVV-së, por janë për një President konsensual. Uroj që takimet me partitë politike të ndodhin shumë shpejt, siç na tha edhe kryetari i LVV-së. Uroj që ky takim të mos refuzohet nga partitë politike”, u shpreh ajo.
Haxhiu tha se do të dëshironte që në takim të ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tjerë politikë, me qëllim që të kontribuohej në tejkalimin e situatës aktuale dhe në gjetjen e një zgjidhjeje.
Në takimin konsultativ morën pjesë kryetari i LVV-së, Albin Kurti, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, kryetarja e Guxo, Donika Gërvalla, si dhe përfaqësues të partive të komuniteteve jo shumicë. /Telegrafi/





