Guardiola shpërtheu në lot pas përplasjes me yllin e Man Cityt – dokumentari zbulon prapaskenat

Sport

Një dokumentar i ri i Prime Video ka zbuluar emocionet e forta që fshiheshin pas dy sezoneve të fundit të Pep Guardiolës te Manchester City, përfshirë një përplasje të tensionuar në dhomat e zhveshjes me Kyle Walker , e cila e la trajnerin katalanas duke luftuar me lotët. Përplasja, e cila shfaqet në serinë dokumentare […]

Madhësia e shkronjave

Një dokumentar i ri i Prime Video ka zbuluar emocionet e forta që fshiheshin pas dy sezoneve të fundit të Pep Guardiolës te Manchester City, përfshirë një përplasje të tensionuar në dhomat e zhveshjes me Kyle Walker , e cila e la trajnerin katalanas duke luftuar me lotët.

Përplasja, e cila shfaqet në serinë dokumentare me katër pjesë “A Beautiful Obsession”, nisi pas humbjes 2-0 ndaj Liverpoolit në dhjetor të vitit 2024.

Walker u përball me Guardiolën, duke e akuzuar se e veçonte vazhdimisht në kritikat e tij.

“Ti vazhdon ta përmendësh emrin tim, në çdo mbledhje… Kam reaguar ndaj dikujt tjetër, e kam humbur topin dhe ti disi arrin ta përfshish emrin tim në këtë,” i tha Walker trajnerit.

Përgjigjja e Guardiolës ishte dukshëm emocionale.

“Nëse unë jam problem, duhet të ma thuash… kjo nuk do ta ndryshojë dashurinë që kam për të gjithë ju. As edhe për një sekondë. Por unë dua të luftoj. Kaq. Më fal”, tha Guardiola.

Walker zhvilloi vetëm edhe shtatë ndeshje pas asaj përplasjeje, përpara se të largohej te Milan në formë huazimi. Më pas, në vitin 2025, ai u largua përfundimisht nga Manchester City për t’iu bashkuar Burnleyt.

Dokumentari gjithashtu sjell në pah momentin emocional të Kevin De Bruynes, kur ai mësoi se Manchester City nuk do t’i ofronte kontratë të re. Belgu shpërtheu në emocione, duke pranuar:

“Fëmijët e mi nuk duan të largohen… ka qenë një periudhë e vështirë për ne si familje”.

Ndërkohë, seria dokumentare zbulon edhe prapaskenat e transferimit të Rayan Cherkit. Guardiola këmbënguli për transferimin e francezit, pavarësisht rezervave që kishte klubi për reputacionin e tij si një lojtar “kaotik”.

Drejtori i futbollit, Hugo Viana, dhe CEO-ja Ferran Soriano fillimisht kishin dyshime për Cherkin, por Guardiola arriti t’i bindte për transferimin e tij.

Cherki më pas pati një sezon debutues mbresëlënës, duke shënuar 10 gola dhe dhuruar 15 asistime, teksa ndihmoi Manchester Cityn të fitonte FA Cup dhe Carabao Cup, trofetë e fundit të Guardiolës përpara se të largohej nga posti.

Trajneri katalanas e pranoi gjithashtu se rikthimi në futboll mund të jetë i vështirë.

“Do të jetë e vështirë të rikthehem, kjo është ndjesia ime sot… Ajo që kam gjetur, më duhet ta gjej veten paksa, në gjëra të ndryshme”, përfundoi ai./Telegrafi/