Arsenali pritet të zyrtarizojë të premten transferimin e mesfushorit brazilian Bruno Guimaraes nga Newcastle United, raporton AS.
Sipas mediumit spanjoll, marrëveshja tashmë është në fazën përfundimtare, pasi Guimaraes ka kryer me sukses testet mjekësore, ka nënshkruar kontratën dhe madje ka pozuar me fanellën e re të Arsenalit.

Transferimi pritet të jetë një prej goditjeve më të rëndësishme të “Topçinjve” në këtë afat kalimtar. Arsenali ka rënë dakord të paguajë rreth 75 milionë funte për shërbimet e 28-vjeçarit, i cili pritet të nënshkruajë kontratë katërvjeçare me klubin londinez.
Largimi i tij nga Newcastle është konfirmuar praktikisht edhe nga trajneri i ri i klubit anglez, Matthias Jaissle, i cili zbuloi se vendimi për shitjen e brazilianit ishte marrë para se ai të merrte drejtimin e skuadrës.
“U takova me të shkurtimisht, por vendimi tashmë ishte marrë. Ai është një lojtar fantastik dhe një njeri i mrekullueshëm”, deklaroi Jaissle.
Trajneri i Newcastle gjithashtu paralajmëroi se klubi do të pësojë disa ndryshime në vazhdim, duke lënë të kuptohet se largimi i Guimaraes është pjesë e një riorganizimi më të gjerë të skuadrës.
Braziliani e nisi karrierën evropiane te Lyon, përpara se të transferohej te Newcastle, ndërsa më herët kishte luajtur edhe për Athletico Paranaense në Brazil.
Te Arsenali, Guimaraes mund të marrë fanellën me numrin 39, numër që e ka mbajtur edhe gjatë periudhave të ndryshme te Athletico Paranaense, Lyon dhe Newcastle./Telegrafi/





