Kuvendi i Kosovës ka publikuar rendin e ditës për seancën konstituive, e cila do të mbahet nesër në orën 10:00.
Sipas njoftimit të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, në fillim të seancës do të themelohet Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve të deputetëve të rinj.

Pas verifikimit të mandateve, deputetët e zgjedhur do të bëjnë betimin, ndërsa më pas pritet të zhvillohet procesi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve.
Për zgjedhjen e nënkryetarëve kërkohet shumicë e thjeshtë e votave në Kuvend.
Ende nuk është bërë e ditur nëse pas seancës konstituive do të ketë një seancë tjetër për formimin e Qeverisë së re.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende nuk kanë arritur marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja.
Takimi treorësh i së martës mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk përfundoi me një marrëveshje për bashkëqeverisje. Megjithatë, të dy liderët kanë lënë të hapur mundësinë për vazhdimin e diskutimeve.
Kurti ka deklaruar se ekziston interesimi për bashkëpunim me LDK-në “për progres të përshpejtuar”, ndërsa Abdixhiku ka theksuar se LDK-ja synon “balancë institucionale”, në mënyrë që një subjekt politik të mos përqendrojë të gjitha pozitat kryesore shtetërore. /Telegrafi/





