Qytetarë u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në protestën e 66-të kundër investimit turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit.
Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë, duke kundërshtuar projektin dhe duke parashtruar edhe kërkesa lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Me pankarta dhe flamuj kombëtarë, protestuesit kërkuan shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që ata e cilësuan “kastë të vjetër politike”.
Gjatë marshimit u dëgjuan gjithashtu thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Sali Berisha, ndërsa protestuesit artikuluan akuza ndaj institucioneve dhe parlamentit.

Protesta vijoi nën monitorimin e forcave të Policisë së Shtetit, ndërsa protestuesit u drejtuan në bulevardin përpara Kryeministrisë.
Protesta u shoqërua me kundërshtime ndaj hartës së re territoriale të propozuar nga Partia Socialiste, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, si dhe me thirrje për vijimin e tubimeve kundër qeverisë.
Aktivisti Edison Lika deklaroi se reduktimi i numrit të bashkive synon, sipas tij, përqendrimin e pushtetit lokal në sa më pak duar. Ai tha se protesta e zhvilluar prej 66 ditësh në Tiranë ka bërë që propozimi për reformën e re administrative-territoriale të marrë vëmendje publike.
“Propozimi për reformë të re administrative do të ishte kaluar pa u vënë re, por fakti se protesta ka qenë në shesh, i ka hapur probleme serioze Ramës”, u shpreh Lika.
Gjatë tubimit foli edhe një emigrant shqiptar që jeton në Itali, i cili bëri thirrje për vijimin e protestave dhe njoftoi për një manifestim që, sipas tij, do të zhvillohet të dielën në Genova.
Ai tha se kishte planifikuar të kalonte pushimet me familjen, por vendosi t’i ndërpresë për t’iu bashkuar protestës në Tiranë. Emigranti apeloi gjithashtu për një pjesëmarrje jopartiake në tubime.
“Duhet të jemi jopartiakë, sepse partitë na e kanë menderosur. Boll! Bashkohuni këtu në shesh”, u shpreh ai.
Në protestë foli edhe një tjetër emigrant shqiptar nga Dibra, i cili jeton prej vitesh në Itali. Ai falënderoi protestuesit për qëndresën dhe kritikoi ashpër klasën politike shqiptare.
Duke folur për emigracionin dhe diasporën, ai deklaroi se ishte larguar nga Shqipëria pasi, sipas tij, sistemi politik e kishte detyruar të largohej nga vendi. Ai tha se kishte ardhur nga Italia me familjen për pushime, por do t’i ndërpriste ato për të vijuar protestën.
Protesta vijoi me thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan ndryshime në politikat vendore dhe politike të vendit.
Pas fjalëve të rastit, protestuesit nisën edhe marshimin e përnatshëm.





