Fiorentina po kalon një nga verat më ambicioze në historinë e saj. Në vitin kur klubi feston 100-vjetorin e themelimit, drejtuesit kanë investuar rreth 100 milionë euro në afatin kalimtar, me synimin për ta rikthyer skuadrën mes protagonisteve të futbollit italian.
Vetëm Juventusi dhe Milani kanë shpenzuar më shumë se klubi nga Firence gjatë këtij afati kalimtar.
Skuadra e drejtuar nga Fabio Grosso është përforcuar me disa futbollistë të njohur dhe talente premtuese.
Mes afrimeve spikasin Alex Jimenez, Víctor Valdepeñas, Giovanni Fabbian, Marco Brescianini, Christ Oulaï, Radu Dragusin, ndërsa së fundmi është zyrtarizuar edhe Joao Mario.

Afati kalimtar është udhëhequr nga drejtori sportiv Fabio Paratici, i cili synon të ndërtojë një skuadër konkurruese për vitet në vazhdim. Ai ka punuar te Juventusi dhe Tottenhami më parë.
Një nga emrat që ka tërhequr më shumë vëmendje është Alex Jimenez, i cili pranoi menjëherë ofertën e Fiorentinës.
“I thashë menjëherë po Fiorentinës, sepse më pëlqeu projekti dhe talentet e reja që po ndërtohen këtu”, u shpreh ai.
Edhe Víctor Valdepeñas nuk e fshehu entuziazmin. Ai ka debutuar me Real Madridin sezonin e shkuar.
“Në një shkallë nga 1 deri në 10, entuziazmi im është 20. Ajo që kam dëgjuar për këtë klub më ka bindur menjëherë”, deklaroi mbrojtësi spanjoll.
Paratici: Nuk pranoj të përfundojmë të tetët çdo sezon
Drejtori sportiv Fabio Paratici theksoi se projekti kërkon kohë, por ambiciet janë të mëdha.
“Duam të ndërtojmë një Fiorentinë konkurruese dhe të qëndrueshme. Nuk mund të ndodhë gjithçka brenda tre muajve, por nuk pranoj që ky klub të përfundojë i teti çdo sezon”.
Ai shtoi se klubi synon të mbajë në skuadër emra si David De Gea, Moise Kean dhe Nicolò Fagioli, të cilin e cilësoi si një mesfushor me karakteristika të ngjashme me stilin e Barcelonës.
Fabio Grosso synon trofe në sezonin jubilar – klubi do të sjellë ende përforcime
Trajneri Fabio Grosso, kampion bote me Italinë në vitin 2006, beson se Fiorentina ka potencial për të luftuar në nivelet më të larta.
“E dimë që pronarët duan të ndërtojnë diçka të madhe. Të fitojmë një trofe në vitin e 100-vjetorit do të ishte një ëndërr”, deklaroi ai.
Sipas tij, skuadra do të luajë me një stil ofensiv në skemën 4-3-3, duke synuar të jetë një nga protagonistet e Serie A.
Afati kalimtar i Fiorentinës nuk konsiderohet ende i përfunduar. Mediat italiane raportojnë se klubi vazhdon të punojë për afrime të tjera, me emra si Franco Mastantuono, Matías Soulé, Matteo Ruggeri dhe Arthur Atta që mbeten në listën e dëshirave.
Pas një sezoni të vështirë, Fiorentina synon që përmes këtij revolucioni të rikthehet në elitën e futbollit italian dhe të luftojë për trofe. /Telegrafi/





